Filmat turk i ‘mbërthejnë’ të gjithë, të ardhurat 1 mld USD në vitin 2017E ndërsa Shqipëria ka disa vite që po tërhiqet nga industria e filmit turk, Italia duket se po e zbulon tani. Është filmi “Rosso Istanbul’ që do të shfaqet më 2 mars të vitit të ardhshëm paralelisht në Itali dhe Turqi. Ai është frymëzuar nga romani i regjisorit turk Ferzan Ozpetek. Për italianët, cast-i i filmit nuk është i njohur, por për shqiptarët po, të tillë si Halit Ergenc (Sulejmani i Madhërishëm), Neval è Tuba Buyukustun (Dashuri dhe Diamante) etj.

E gjithë kjo tregon se televizioni turk po ‘pushton’ botën përmes investimeve të mëdha. Në një artikull, “Daily Sabah” shkruan se dhjetë vjet më parë eksporti televiziv turk llogariti të ardhura në rreth 1 milion dollarë, ndërsa sot kjo shifër është në rreth 350 milionë dollarë. Serialet turke transmetohen sot në më shumë se 100 vende, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Këto shifra e rendisin Turqinë në prodhuesin dhe shpërndarësin e dytë në botë të serialeve televizive, pas SHBA-së.

Për vitin 2017, parashikohet që të ardhurat të arrijnë 1 miliard dollarë.

Ballkani është tashmë një territor i “pushtuar”, shkruan “Daily Sabah”, dhjetëra telenovela shfaqen nga Shqipëria deri në Detin e Zi. Gjatë anketimeve, shikuesit ballkanas shprehen se pëlqejnë karakteret realistë, mungesën e dhunës dhe gjuhën e thjeshtë. Këto telenovela tashmë kanë zënë vendin që dikur, një dekadë më parë zinin telenovelat latine. Edhe vende të tjera të tilla si Bosnja, Maqedonia, Kosova dhe Serbia janë tërhequr nga këto transmetime.

Por, Turqia së fundmi i ka hedhur sytë drejt tregjeve të Amerikës së Jugut. Serialet tashmë janë përhapur edhe në Brazil, Peru, Uruguai, Bolivi, Paraguai, Ekuador, Kolumbi dhe Kosta Rika. Kjo është një fitore, shkruan e përditshmja, duke pasur parasysh faktin se janë tregje homogjene sa u përket këtyre prodhimeve.

Ndërsa në Lindjen e Mesme këto telenovela kanë krijuar fenomene të çuditshme. Kështu burrat e këtij rajoni udhëtojnë drejt Turqisë duke paguar 5,000 dollarë për të bërë impiant të mustaqeve sipas stilit të personazheve turke.

Në Amerikën Latine, versioni spanjoll i “1001 net” është aq shumë popullor sa fëmijëve iu kanë vënë emra personazhesh, të tilla si Onur  dhe Shehrezade./

SHPËRNDAJE