Ilire Zajmi, gazetare shqiptare e Filippo Landi, gazetarë italian janë bashkëautorë të librit “Një tren për Bllacë” që pa dritën e botimit në shqip ditë më parë. Ilirja, e dëbuar si shumë shqiptarë të tjerë gjatë luftës në Kosovë, u takua me Filippon në kufirin ndërmjet Kosovës e Maqedonisë. Kështu lindi një miqësi, e më pas edhe idea për të shkruar një libër, i cili do të shkonte përtej një kronike të zakonshme të luftës.

Rrjedhën e luftës në Kosovë e kanë parë drejpërdrejt me sytë e tyre. Gjithçka është përshkruar në rrëfimin në libër. Filippo Landi e ka përjetuar luftën duke qëndruar andej kufirit me Kosovën.Ilirja e ka parë nga brenda.

“Në këto faqe, të shkruara nga katër duar, ata nuk shkruajnë kronikë lufte por rrëfejnë historinë e tyre. Në realitet, ndodhitë e tyre, që puqen jorastësisht në pikën kufitare, transformohen në lenta narrative, deri në ndenjën drithëruese që zhvesh deri në intimitet tmerret e kësaj lufte” shkruan në parathënien e librit kritiku italian Guglielmo Minervini.

Rrëfimi i Ilires për luftën në Kosovë, sjell të dhëna autentike nga vendi i ngjarjes, ku ajo ka përcjellur ngjarjet e luftës si masakrën e familjes Jashari në Prekaz, ngjarjet në Rahovec, masakrën në fshatin Rogovë të Hasit etj. Rrëfimi i Filippos, gazetar i televizionit italian RAI, pasqyron vuajtjet e atyre që përjetuan ferrin e Bllaces. Luftën për të siguruar një tendë, një kafshatë buke, për të gjetur njerëzit më afërt, dhe përpjekjet e tij për të ndihmuar këta njerëz. Në rrëfimin e Filippos kemi një zingjir të ngjarjeve, që zgjasin pafundësisht në tokën e Ballkanit, duke filluar me ikjen e të përndjekurve e deri te gjenocidi sistematik: ” Unë që kam vizituar Dakaun, nuk mund të besoj se pas pesëdhjetë vjetësh, në Evropë, do të mund të organizohej një deportim i ri masiv” shkruan ndër të tjera Filippo në rrëfimin e tij. Ky libër është botuar në vitin 1999 në Itali, nga shtëpia botuese Edizioni la Meridiana, ndërkaq në shqip vie pas 11 vjetësh nga shtëpia botuese Saga e Prishtinës.

SHPËRNDAJE