Tahiri thekson se kushtetutshmëria është e shenjtë dhe duhet të japë fund polemikave mes Osmanit dhe Kurtit.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka komentuar situatën aktuale lidhur me shpërndarjen e Kuvendit nga Presidentja Vjosa Osmani.
Tahiri tha se vendimi i fundit i presidentes ka hapur debat të gjerë politik dhe polemika mes saj dhe Kryeministrit Albin Kurti, dhe se Kosova tani duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur përfundimisht mbi kushtetutshmërinë e tij.
“Kushtetutshmëria është e shenjtë dhe vendimi i Gjykatës do t’i japë fund kësaj amullie të përplote polemikash, kësaj radhe mes Osmanit dhe Kurtit,” theksoi Tahiri.
Ajo shtoi se respektimi i Kushtetutës është thelbësor për funksionimin e institucioneve dhe stabilitetin e vendit, duke theksuar rëndësinë e vendimeve të drejtësisë kushtetuese për ruajtjen e rregullit ligjor në Kosovë.




