Bashkimi Evropian ka lëshuar një komunikatë për takimet e djeshme në Bruksel në kuadër të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, ku morën pjesë Besnik Bislimi, kryenegociator teknik i Kosovës, dhe Petar Petkoviq, kryengociator i ekipit të Serbisë.
BE-ja e potencoi se “për herë të parë në një format trepalësh”, më 22 janar kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Përfaqësuesin Special të BE-së, Peter Sorensen, u mblodhën për të diskutuar për Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur.
BE bëri të ditur se qëllimi i Komisionit të Përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave ende të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, si dhe të sjellë fundin e këtij procesi për familjet e të zhdukurve dhe të nxisë pajtim dhe paqe të qëndrueshme.
“Në përputhje me Termat e Referencës të dakorduara, Komisioni i Përbashkët do të mbështesë përpjekjet e Grupit Punues për Personat e Zhdukur të kryesuar nga ICRC, duke lehtësuar aktivitetet zbatuese të Palëve, zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe duke shqyrtuar progresin”, tha BE.
“BE ka pritje të mëdha nga Komisioni i përbashkët për të dhënë kontribut në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për të ndihmuar në mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet të cilat kanë pritur aq shumë për përgjigje2 thuhet më tej në këtë komunikatë.