Sami Mazreku ndodhej në shtëpi mëngjesin e 8 janarit kur zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës realizuan bastisje në pronën e tij.
Mazreku, ish-drejtor ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, dyshohet për mashtrim me sigurime.
Pamjet e aksionit të Policisë për rastin e BKS-së, të cilat i ka publikuar portali Kallxo.com të dielën, tregojnë momentin e bastisjes së shtëpisë së Mazrekut dhe arrestimin e tij gjatë kontrollit.
“Jemi prej Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike.. kemi një urdhër për bastisje në shtëpinë tënde”, prezantohet një pjesëtar i Policisë së Kosovës, tregojnë pamjet.
Pas fillimit të bastisjes, prokurori i rastit e njofton Mazrekun se është i arrestuar nën dyshimin për kryerjen e dy veprave penale.
“Me urdhëresë të Gjykatës, që nga ky moment je i arrestuar. Dyshohesh për veprat penale keqpërdorim i besimit, po ashtu keqpërdorim i autorizimeve publike”, i thotë prokurori, të dyshuarit.
Mazreku ndodhet në paraburgim që nga 10 janari i këtij viti. Bashkë me të, për rastin e sigurimeve u arrestuan edhe 38 persona të tjerë të dyshuar për mashtrim me sigurime.




