Kandidati i PDK-së për deputet, Kujtim Gashi, ka reaguar pas ndryshimit të madh në rezultatin zgjedhor të votave ndaj tij pas rinumërimit të votave për kandidatë.
Gashi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se distancohet nga çdo veprim apo praktikë që cënon zgjedhjet, shkruan Insajderi.
“Si kandidat, kam ndjekur me shqetësim ndryshimet e vërejtura gjatë rinumërimit të votave, duke theksuar njëkohësisht se distancohem plotësisht nga çdo veprim apo praktikë që cenon integritetin e procesit zgjedhor. Çdo paqartësi dëmton besimin e qytetarëve dhe kërkon sqarim të plotë institucional.
Kërkimi i transparencës dhe llogaridhënies është detyrim qytetar. Vetëm përmes sqarimit të plotë dhe respektimit të vullnetit të votuesit mund të forcojmë demokracinë dhe të heqim çdo dilemë deri në numërimin e kutisë së fundit”, ka deklaruar ai.
Gashit iu janë hequr 2,358 vota pas procesit të rinumërimit.