Edhe këtyre ditëve të para të vitit 2026, shumë furrëtarë në Prishtinë, duke shfrytëzuar mungesën e institucioneve të shtetit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, u ngutën sërish të rrisin çmimet e bukës dhe të pjekurinave të tjera. Në zinxhirin e furrave “Milenium Bakery” në Prishtinë, një bukë që deri në fund të vitit shitej 0.49 centë, pas Vitit të Ri ka çmimin 0.69 centë, që i bie mbi 40 për qind më shtrenjtë krahasuar me çmimin e para dhjetë ditësh.
Furrëtarët e Prishtinës, por edhe të qendrave të tjera komunale të Kosovës, sipas analizave të shumë njohësve të zhvillimeve ekonomike, janë prodhuesit e privilegjuar të shtetit dhe përfituesit e mëdhenj nga pushteti lokal dhe qendror i vendit. Ata përherë kanë pasur lehtësira reale në zhvillimin e veprimtarisë së tyre prodhuese, duke nisur nga procedurat e lehtësuara të aktivizimit të bizneseve, përzgjedhja e lokacioneve, “këqyrja ndërmjet gishtave” nga inspektimet e rregullta, qoftë edhe në trajtimin e punëtorëve sipas legjislacionit në fuqi, kohëzgjatjen e orarit të punës dhe shumë “mbyllje sysh” të tjera ndaj keqpërdorimeve të shumta të evidentuara, raporton Buletini Ekonomik.
Mirëpo, shumica e furrëtarëve në Prishtinë dhe në mbarë vendin, përkundër privilegjeve dhe përfitimeve enorme nga veprimtaria e tyre, praktikisht janë treguar mosmirënjohës, sidomos në ngarendjen për të rritur çmimet e bukës dhe të pjekurinave të tjera, në shumicën e rasteve pa arsye dhe pa asnjë pretekst. Thjesht, çmimet janë rritur për përfitime edhe më të mëdha dhe më të lehta, duke shfrytëzuar në disa raste vakumet institucionale, siç ndodhi gjatë vitit 2025 me mungesën thuajse njëvjeçare të institucioneve më të rëndësishme të shtetit.
Edhe këtyre ditëve të para të vitit 2026, shumë furrëtarë në Prishtinë, duke shfrytëzuar mungesën e institucioneve të shtetit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, u ngutën sërish të rrisin çmimet e bukës dhe të pjekurinave të tjera. Në shumë furra në kryeqytet u rrit çmimi i bukës standarde, asaj të rëndomtës, ndër më të konsumuarat nga kosovarët, nga 50 centë në 60 centë. Në këto ditë pa pushtet, në zinxhirin e furrave “Milenum Bakery”, një bukë që realisht peshonte rreth 300 gramë dhe që deri në fund të vitit shitej 0.49 centë, pas Vitit të Ri ka çmimin 0.69 centë, ose mbi 40 për qind më shtrenjtë krahasuar me çmimin e para dhjetë ditësh.
Po kështu, në disa furra, këto ditë një samun, apo “pitajka”, e popullarizuar për Muajin e Shenjtë të myslimanëve, tregtohet me 35 centë, në vend të 30 centëve sa ka kushtuar deri tani (ndërkohë që, deri më tash, në muajin e agjërimit kjo lloj buke është tregtuar me çmime të ulura, qoftë edhe simbolikisht).
Më saktësisht, nga fillimi i vitit 2026, shumë furra në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës, e nisën vitin me çmime të reja të rritura.
“Nuk ka pasur asnjë pretekst për rritje të çmimeve të bukës. Nuk ka pasur çmime të reja të energjisë elektrike që nga prilli i vitit 2025, nuk ka pasur rritje të çmimit të miellit, si produkt qenësor për prodhimin e bukës, as suplementet e tjera që përdorin furrëtarët për prodhimet e tyre nuk kanë shënuar rritje çmimesh. Çmimi i ujit është rritur shumë ditë pas rritjes së çmimeve të bukës dhe disa pjekurinave që në ditët e para të vitit 2026”, thonë vrojtues dhe njohës të ecurive të çmimeve.
Në bazë të analizave dhe llogarive më të detajuara, çmimi i bukës, ai i deritashëm, rezulton të jetë shumë i lartë edhe kur krahasohet me çmimet ekzistuese të materialit riprodhues të nevojshëm për prodhimin e saj. Pra, sipas ekspertëve, furrëtarët kot ankohen se me vështirësi po i mbulojnë shpenzimet e bizneseve të tyre. Madje, edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.1 për qind në prillin e vitit 2025 nuk ka pasur ndikim aq përcaktues në rritjen e çmimit të bukës dhe pjekurinave të tjera.
Sipas tyre, “ka gjasë që furrëtarët t’u jenë përgjigjur me nguti paralajmërimeve të autoriteteve dhe Qeverisë Kurti 3 se, me nisjen e funksionimit të institucioneve të reja të shtetit, është e domosdoshme të përcaktohen disa çmime të limituara, sidomos për produktet elementare ushqimore, ku bën pjesë edhe buka”.
Më saktësisht, furrëtarët që kanë rritur çmimet e bukës në këto ditë të janarit 2026, sërish keqpërdorën përtej çdo kuptimi vakumin institucional, ashtu siç kanë bërë edhe më herët.
Kjo ndodhi edhe në pranverën e vitit 2025, pikërisht në ditën kur Autoriteti i Konkurrencës bëri publike konstatimin se “pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë, kanë ardhur në përfundim se shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe koordinim”. Pikërisht atë ditë, shumë furra në kryeqytet e rritën çmimin e bukës. Më herët, që nga pranvera e vitit 2025, ishte rritur ndjeshëm edhe çmimi i të gjitha pjekurinave në të gjitha furrat e kryeqytetit.
Po del se edhe kësaj radhe furrëtarët në Prishtinë dhe në mbarë vendin nuk e patën për asnjë çast parasysh fuqinë blerëse të kosovarëve dhe varfërinë e skajshme të shumicës së tyre. Nuk u përfillën as kërkesat e pushtetit dhe as të Autoritetit të Konkurrencës, të cilët rekomanduan që gjatë rritjes së çmimeve të produkteve elementare ushqimore të mos shkelet Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të mos ketë marrëveshje të ndaluara – kartele – ndërmjet furrëtarëve.
Nëse kësaj radhe ka pasur bashkërendim të çmimeve mes furrëtarëve, siç ishte konstatuar nga Autoriteti i Konkurrencës në pranverën e vitit 2025, mbetet të vërtetohet. Autoriteti i Konkurrencës duhet të jetë më efektiv në parandalimin e shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të ndërmarrë masa konkrete ndaj shkelësve. Nëse shkeljet janë bërë, masat duhet të pasojnë pa humbur kohë. Në të kundërtën, rritja e çmimeve të bukës do të vazhdojë edhe më tej, bashkë me marrëveshjet e reja ndërmjet furrëtarëve, siç ndodhi edhe në ditët e para të vitit 2026.