Më 11 shtator, kryeqyteti shqiptar do të bëhet skena e një ngjarjeje madhore për futbollin europian dhe atë shqiptar: mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të zhvillohet për herë të parë në Tiranë. Ky organ i lartë drejtues, që merr vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e futbollit në kontinent, do të zbarkojë në Shqipëri në një takim zyrtar me peshë të veçantë.
Kjo ngjarje shënon një moment historik për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për vetë vendin tonë, duke dëshmuar rritjen e reputacionit dhe besueshmërisë ndërkombëtare të FSHF-së. Në krye të këtij suksesi qëndron Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili prej vitesh ka drejtuar me vizion dhe përkushtim futbollin shqiptar, duke e pozicionuar në hartën e respektuar të futbollit europian.
Nën drejtimin e Dukës, Shqipëria ka qenë gjithnjë e më e pranishme në aktivitetet e rëndësishme të UEFA-s: nga mbledhja e Komitetit HatTrick, takimi i 11 federatave të Europës Juglindore, paneli Grassroots, sesionet për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Përgjegjësinë Sociale (SES), deri tek mbledhja e Komitetit të Medias së UEFA-s. Organizimi i këtyre eventeve tregon aftësinë dhe profesionalizmin e FSHF-së për të qenë partner i denjë i strukturave më të larta të futbollit europian.
Agjenda e mbledhjes së 11 shtatorit dhe temat që do të diskutohen do të bëhen publike disa ditë më parë përmes një komunikimi zyrtar të UEFA-s dhe FSHF-së. Por një gjë është e sigurt: prania e Komitetit Ekzekutiv në Tiranë është një njohje e qartë e punës së bërë dhe e hapave të mëdhenj që futbolli shqiptar ka hedhur vitet e fundit.
Ky është një tjetër gur kilometrik në rrugëtimin e futbollit shqiptar, që falë punës së palodhur të FSHF-së dhe vizionit të Armand Dukës, vazhdon të rrisë standardet dhe të fitojë respektin e botës së sportit