Shpërthen sërish zemërimi në Shtetet e Bashkuara si pasojë e dhunës policore. Vetëm disa metra larg zonës ku, pesë vite më parë, George Floyd u mbyt brutalisht nga një efektiv policie në Minneapolis, një grua 37-vjeçare, këtë herë e bardhë, u ekzekutua gjatë një operacioni të forcave të Migracionit dhe Doganave (ICE).
Forcat janë dislokuar me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump në disa qytete amerikane, kundër emigracionit të paligjshëm. Sipas mediave amerikane, viktima është Renee Nicole Good, qytetare amerikane dhe nënë e tre fëmijëve, me origjinë nga Kolorado.
Videoja e shpërndarë në rrjet tregon agjentët teksa i afrohen një automjeti tip SUV të ndalur në mes të rrugës, për t’i urdhëruar drejtueses së tij të zbresë. Kur një prej tyre kap dorezën e derës, automjeti lëviz pas dhe më vonë avancon. Një tjetër agjent, i pozicionuar përpara makinës, nxjerr armën dhe qëllon të paktën dy herë nga një distancë e afërt.
Pranë zonës po mbahej një protestë dhe në video mund të dëgjohen dëshmitarë që bërtasin të tronditur. 37-vjeçarja u plagos rëndë dhe vdiq më vonë në spital, pasi u qëllua me armë zjarri në kokë.
Sekretarja për Sigurinë e Brendshme, Kristi Noem, doli në mbrojtje të agjentëve të përfshirë në vrasjen e gruas, duke thënë se ata kishin vepruar në vetëmbrojtje. “Oficerët dhe agjentët e ICE-së e urdhëruan vazhdimisht atë të dilte nga makina dhe të mos pengonte zbatimin e ligjit, por ajo refuzoi t’u bindet urdhrave të tyre. Më pas ajo vazhdoi ta përdorte automjetin si armë dhe u përpoq të shtypte një oficer të zbatimit të ligjit. Kjo duket të jetë një përpjekje për të vrarë ose për t’u shkaktuar dëmtime trupore agjentëve, një akt terrorizmi i brendshëm”, u shpreh Noem.
Në të njëjtën linjë ishte edhe reagimi i Trump. “Gruaja që drejtonte makinën ishte shumë e pabindur, duke penguar dhe duke bërë rezistencë ndaj agjentëve. Më pas ajo e goditi me dhunë, qëllimisht dhe brutalisht agjentin e ICE-së, i cili duket se e ka qëlluar për vetëmbrojtje”, ishin fjalët e Trump.
Presidenti më pas akuzoi “të majtën radikale” për kërcënime dhe shënjestrim të “agjentëve të zbatimit të ligjit”.
Por versioni zyrtar po kontestohet nga dëshmitarë okularë, të cilët kanë xhiruar edhe videon ku një agjent federal qëllon ndaj gruas, pasi një tjetër e kishte intimiduar me fjalë ofenduese që të dilte nga makina. Edhe kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, përgënjeshtroi versionin e administratës, duke akuzuar autoritetet federale se po përpiqen të mbulojnë vrasjen me pretendimin e një akti vetëmbrojtjeje.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe guvernatori demokrat i Minesotës, Tim Walz, i cili e akuzoi administratën Trump si një “makineri propagande”, ndërsa e cilësoi tragjedinë si totalisht të evitueshme.
Ngjarja shënon një përshkallëzim të ndjeshëm të operacioneve të fundit të kontrollit kundër emigracionit të paligjshëm, të urdhëruara nga Trump. Ajo ka ngjallur zemërim mes demokratëve dhe qytetarëve, të cilët po zhvillojnë edhe protesta.













