Kombëtarja e Kosovës në futboll gjatë vitit që lamë pas, 2025-ës, arriti suksese historike si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

Kosova u kualifikua në Ligën B të Ligës së Kombeve në muajin mars të vitit 2025, derisa në nëntor të atij viti, e siguroi edhe “play-offin” e Botërorit.

Për sukseset e Kosovës ka shkruar edhe analisti i emisionit sportiv “Favorit”, Alban Lumi.

Ai ka shkruar gjerësisht për arritjet e kombëtares dardane, që nga kualifikimi në Ligën B, marrja e lojtarëve nga Zvicra dhe suksesi më i madh, kualikifimi në “play-off” të Botërorit.

Ky është postimi i tij i plotë, në rrjetin social “Facebook”:

Vitin e kaluar, me Kombëtaren e Kosovës, shpërthyen yjet e rinj që u rritën në Kosovë dhe në diasporë, duke bashkuar emocionin, dashurinë, angazhimin edhe pjesën teknike në një ekip të fuqishëm.

FFK, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, arriti të sjellë në Kombëtare lojtarë nga Bundesliga, si Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu, pas Fisnik Asllanit. Përmes projektit serioz të zhvillimit, pjesë e rëndësishme e Kombëtares u bë Dion Gallapeni, ndërsa Lumbardh Dellova, Albion Rrahmani, Lindon Emerllahu, Ilir Krasniqi, Meriton Korenica e të tjerë kishin filluar tashmë përshtatjen si pjesë e pandashme e ekipit.

Ata u mirëpritën nga yjet e Kombëtares, si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Mërgim Vojvoda dhe legjionarë të tjerë.

Gjatë vitit 2025, Kombëtarja siguroi kualifikimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, duke mposhtur Islandën si mysafire në Spanjë. Më pas, pas një humbjeje në Zvicër, Kosova u rikthye pabesueshëm me fitore të njëpasnjëshme në grup për kualifikimet e Kupës së Botës, duke mundur dy herë Suedinë dhe Slloveninë në Lubjanë, dhe regjistruar dy barazime me Slloveninë dhe Zvicrën në Prishtinë.

Këto rezultate e çuan Kosovën në play-off, ku në mars e presin dy finale (1+1) me Sllovakinë në udhëtim, dhe pas një fitores eventuale, do të përballet me Turqinë ose Rumani.

Megjithatë, shorti për pjesëmarrësit e Kupës së Botës u hodh në dhjetorin e kaluar në SHBA, ku Kosova ishte e pranishme!

Viti 2025 ishte vërtet historik, por Kosova ka mundësinë të tejkalojë këtë rekord në 2026.

Kosovarët presin që gjatë këtij viti Kombëtarja të shënojë dy fitore vendimtare për të siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin e Botës, që mbahet këtë vit në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Përveç ekipit kombëtar, selektorit Foda dhe organizimit fantastik nga FFK, pjesë e pandashme ishin edhe “Dardanët” – tifozët besnikë që ndiqnin nga afër çdo ndeshje të Kosovës!

FFK, përveç punës me Kombëtaren, vazhdoi zhvillimin e fushave me bari sintetik dhe ishte afër komuniteteve, duke marrë pjesë edhe në aktivitetet në stadiume të ndryshme në vend, si dhe në fazat e radhës në Kampin Nacional në Hajvali.

Në fund të vitit, falë punës së përbashkët me FIFA-n, u sollën edhe fushat e futbollit FIFA Arena, ku zhvillohet edhe futbolli i rrugës – aty ku zakonisht dalin talentet e së ardhmes!.

SHPËRNDAJE