Komuna të shumta të Kosovës janë përballur dje me vërshime të mëdha, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe gjatë gjithë ditës së martën.

Si pasojë e situatës, dhjetëra shtëpi dhe biznese janë përmbytur, ndërsa në dy komuna është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe është shtyrë fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkolla.

Rahoveci ndër komunat më të goditura

Në fshatin Fortesë të Rahovecit, një nga zonat më të prekura, ujërat kanë përmbytur katin e parë të shtëpisë së Fatmir Popajt, duke i shkaktuar dëme pothuajse tërësisht pajisjeve shtëpiake.

“Vërshimet kanë filluar në mëngjes. Pra, atëherë ka hyrë uji brenda. Askush nuk ka qenë as për të na parë. Kemi filluar të pastrojmë dhe kemi drojë se do të na marrë prapë (uji). Prej mëngjesit, deri nga ora 14:00 veç jemi duke pastruar”, ka treguar Popaj.

Me pasoja të vërshimeve është përballur edhe mërgimtari nga Austria, Burim Popaj, i cili ka kritikuar autoritetet lokale për situatën e krijuar.

“Kjo është hera e katërt që nga viti 2005. Është shqetësuese, sepse sa herë që po bie shi, po na duhet të kemi vesvese. Herëve të tjera vinin (autoritetet komunale) e disave u kanë ndihmuar”, ka thënë ai.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë thirrje që qytetarët të raportojnë çdo rast që kërkon ndërhyrje, duke theksuar se situata është stabilizuar pas ndaljes së reshjeve.

“Aktualisht situata është stabilizuar, sepse edhe reshjet kanë pushuar. Mirëpo, gjatë paradites së hershme, tek nga mesnata dhe deri rreth orës 11, ka qenë e vështirësuar. Kemi pasur shembje të rrugëve, kemi pasur edhe probleme me KEDS-in”, ka deklaruar Latifi.

Ai ka bërë të ditur se nisja e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në këtë komunë është shtyrë deri më 12 janar.

Situata në komuna të tjera

Në Prishtinë, kryetari Përparim Rama ka njoftuar se janë regjistruar së paku 40 raste intervenimi si pasojë e vërshimeve. Gjendje e rënduar është raportuar edhe në disa fshatra të Komunës së Fushë-Kosovës.

Në Gjakovë janë evakuuar disa familje të prekura, ndërsa Komuna ka njoftuar se do t’u sigurojë akomodim në banesa sociale familjeve që kanë nevojë për strehim.

Në Komunën e Deçanit, qytetarëve u është bërë thirrje që të shmangin zonat e rrezikuara, ndërsa kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe po shkon drejt përmirësimit.

Gjendje e jashtëzakonshme në Malishevë dhe Junik

Situatë e rënduar është evidentuar edhe në Komunën e Malishevës. Në fshatin Bubavec, ujërat kanë depërtuar në katin përdhes të shtëpisë së Demokrat Kryeziut, i cili së bashku me familjen është evakuuar me ndihmën e zjarrfikësve.

“Problemi domethënë ka ndodhë, uji që ka hyrë brenda prej mëngjesit. E kemi pasur prej orës 5 ose 6, edhe është dashur të ngjitemi në katin sipër, sepse poshtë u mbush komplet ujë edhe oborri, edhe shtëpia. Fëmijët kanë pasur frikë, i kemi thirrur zjarrfikësit. I kanë tërhequr (fëmijët) dhe i kanë dërguar te vëllai tjetër”, ka treguar Kryeziu.

Zjarrfikësi Kujtim Morina e ka cilësuar si të vështirë operacionin e evakuimit.

“Jemi këtu në fshatin Bubavec, e kemi bërë tërheqjen e fëmijëve. I kemi dërguar në vend të sigurt. Shumë ka qenë e vështirë, se kanë qenë në panik”, ka deklaruar ai.

Banori tjetër, Nuhi Kryeziu, ka kërkuar kompensim për dëmet materiale, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që përballet me përmbytje.

Në këtë komunë janë përmbytur edhe biznese dhe parkingu nëntokësor, ku disa vetura kanë mbetur të bllokuara. Komuna e Malishevës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka shtyrë nisjen e mësimit.

Gjendje të jashtëzakonshme ka shpallur edhe Komuna e Junikut, ku po ashtu mësimi është shtyrë deri më 12 janar.

Drenasi dhe Pokleku, situata më kritike

Edhe Komuna e Drenasit është goditur rëndë nga reshjet. Gjendja më e rëndë është paraqitur në Poklek, ku një numër i madh shtëpish janë përmbytur përgjatë lumit Drenica. Ekipet emergjente kanë evakuuar disa qytetarë, ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të izoluar.

Komandanti i zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli, ka thënë se intervenimet kanë nisur që në orët e hershme të mëngjesit.

“Në tre të mëngjesit kemi filluar me intervenime… nga ora 8 e mëngjesit kemi filluar me dalë në Poklek të Ri për ta bërë evakuimin e disa familjeve që kanë mbetur në shtëpi banimi”, ka treguar ai.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se përmbytje ka pasur edhe në fshatra të tjera.

“Në Poklek të Ri dhe Shtrubullovë gjendja është më e rrezikuar, për shkak të ndërtimit në nivel të ujit dhe mbylljes së rrjedhave atmosferike”, ka thënë ai.

Si pasojë e përmbytjes së trafostacionit, rruga Drenas–Komoran është bërë e pakalueshme, ndërsa furnizimi me energji elektrike është ndërprerë përkohësisht.

Institucionet në monitorim

Situata është monitoruar nga institucionet qendrore. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se ekipet janë në terren 24 orë për të parandaluar pasoja më të mëdha.

Në Malishevë ka qëndruar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se situata është vënë nën kontroll dhe nuk ka dëme në njerëz.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se reshjet e 3–5 janarit kanë shkaktuar rritje të niveleve të lumenjve dhe vërshime lokale, ndërsa ka paralajmëruar reshje edhe në ditët në vijim.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve që përdorin ujë nga bunarë të pambrojtur që ta ziejnë ujin para përdorimit.

Reagimet politike

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët për reagimin e përgjegjshëm, duke bërë thirrje për vigjilencë dhe respektim të udhëzimeve zyrtare.

Nga ana tjetër, PDK-ja ka kërkuar angazhim të plotë të institucioneve qendrore dhe ndihmë të shpejtë për familjet e prekura, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar situatën si urgjencë kombëtare.

SHPËRNDAJE