Ka vdekur në moshën 95-vjeçare, Haki Dushi, një prej profesorëve të parë të Fakultetit Ekonomik në Kosovë.
Të shtunën, 17 janar, do të mbahet mbledhje komemorative në Fakultetin Ekonomik nga ora 09:30.
Pastaj kortezhi niset për në Gjakovë, ku në Varrezat e Qytetit do të bëhet mbledhje komemorative dhe homazhe në orën 14:00 dhe varrimi në orën 15:00.
Kush ishte Haki Dushi?
Ekonomist, profesor universiteti.
U lind në Gjakovë, ku kreu një pjesë të shkollimit bazë, që më pas e vazhdoi edhe në Pejë, ndërsa studimet e larta për ekonomi i përfundoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Beogradit (1959).
Nga viti 1964 punoi mësimdhënës në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë, ku mbajti leksione në lëndën bazat e kontabilitetit, ndërsa nga viti 1969 të njëjtën lëndë e ligjëroi edhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Tezën e magjistraturës e mbrojti në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Zagrebit, ndërsa në vitin 1978 mbrojti tezën e disertacionit në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, po nga fusha e kontabilitetit.
Ka qenë dekan i Fakultetit Ekonomik për dy mandate, shef i katedrës për kontabilitet, matematikë dhe statistikë dhe ka mbajtur ligjërata edhe në disa universitete dhe kolegje private.
Ka botuar punime shkencore në revista të ndryshme profesionale.