Këngëtarja e njohur shqiptare Adelina Thaqi Meta ka shënuar një kapitull të ri në karrierën e saj publike, duke u zgjedhur për herë të parë deputete në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor.
Ajo garoi në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe, ndonëse kjo parti shënoi një rezultat relativisht zhgënjyes në nivel kombëtar, Adelina arriti të renditet mes 15 deputetëve të përzgjedhur të LDK-së, duke tej kaluar edhe kuotën gjinore, çka e bën suksesin e saj edhe më domethënës.
Pas besimit të marrë nga qytetarët, Adelina Thaqi Meta reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku falënderoi votuesit dhe theksoi përgjegjësinë e madhe që ndjen për këtë mandat të ri politik.
Ajo u shpreh mirënjohëse ndaj votuesve besnikë të LDK-së për besimin e dhënë, duke theksuar se hyrja e saj në Kuvend vjen nga një profil tjetër profesional, ai i artit, kulturës dhe arsimit, ku për vite me radhë ka kontribuar si këngëtare dhe profesoreshë.
“Besimi juaj është një mirënjohje e çmuar për punën time deri më sot, por mbi të gjitha është një përgjegjësi e madhe që të jem zëri juaj në Kuvend, me ndershmëri, ndjeshmëri, guxim dhe përkushtim”, shkroi ajo mes tjerash.
Në reagimin e saj, Adelina nuk la pa përmendur edhe rezultatin zgjedhor të LDK-së, duke theksuar se ai nuk reflekton misionin historik, potencialin njerëzor dhe programor të kësaj partie, si dhe respektin që sipas saj qytetarët dhe mërgata ende kanë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ajo theksoi se Kosova ka nevojë për ndryshim të madh, por se ky ndryshim duhet të nisë nga vetë qytetarët dhe nga një qasje më e hapur, më bashkuese dhe më e qartë në komunikim politik.
“Faleminderit secilit që na besoi e që më besoi, duke më veshur me një përgjegjësi të shenjtë ndaj jush dhe ndaj vendit tonë”, përfundoi ajo mesazhin e saj, duke uruar bekim për Kosovën dhe popullin e saj.














