Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka zgjedhur një mënyrë jo fort diplomatike, por mjaft të qartë për ta dhënë mesazhin e tij të fundit. Një foto me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, nga 125-vjetori i Federatës së Futbollit të Hungarisë, dhe poshtë saj vetëm dy fjalë: “Të harmonizuar”.
Pa sqarime shtesë. As nene ligjore. Vetëm një ironi e elegante, e kuptueshme për këdo që ka ndjekur zhvillimet e fundit mes FFK-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Për kujtesë, FFK i ka miratuar ndryshimet statutare dhe i ka harmonizuar aktet e saj me FIFA-n, UEFA-n dhe Ligjin për Sportin në Kuvendin e mbajtur më 11 gusht, por kjo nuk e ka penguar MKRS-në që ta rikthejë sërish temën e “harmonizimit” në qarkullim, dhe atë pikërisht dy javë para Kuvendit Zgjedhor të FFK-së, që do të mbahet më 5 shkurt 2026, ku do të zgjidhen organet e reja drejtuese.
Në këtë kontekst, statusi i Ademit duket më shumë si një tallje elegante: ndërkohë që në Prishtinë hapen debate të vjetra, ai shfaqet krah për krah me krerët e futbollit botëror e evropian, duke lënë të kuptohet se për FFK-në çështja e harmonizimit është e mbyllur prej kohësh.
Mesazhi është i thjeshtë: FFK është “e harmonizuar” aty ku ka më shumë peshë. Të tjerat, sipas kësaj logjike, janë më shumë zhurmë para zgjedhjeve sesa problem real institucional.