Të martën u mblodhën trembëdhjetë, të hënën mblidhen katërdhjetë.
Çka u quajt “takim jo formal” pesë orë e gjysëmsh i të martës, tash është thirrur “takim formal” i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës për të hënën.
Me një çështje kryesore: (mos)dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë. Tryezat janë rrotlluar ku më i fundit që u lajmërua–pas dorëheqjes së parevokueshme të Hykmete Bajramit nga kryesia e partisë–ishte Avdullah Hoti.
Hoti la të kuptojë që s’e blen aspak metodën e “ofrimit të dorëheqjes” së Lumir Abdixhikut, për ta çuar atë ofertë para Kuvendit të LDK-së, ku mbi 300 persona do të votojnë për-ose-kundër.
Në ç’rast, me ç’besohet, Abdixhiku do ta sigurojë qëndrimin e vet në krye të partisë. Hoti ka paralajmëuar që do të ndjek rrugën e Hykmete Bajramit, atë të dorëheqjes nga kryesia e partisë.
Abdixhiku s’ka dhënë dorëheqje të parevokueshme pas fiaskos zgjedhore të 28 dhjetorit, ku LDK ra në 13% në rezultatin zgjedhor.
Tha se më shumë se “të ofrojë” dorëheqje, s’ka çka të bëjë.
Por, Hoti e kundërshtoi m’u këtë. Standardi i vendosur më 2021, tha Hoti, është që rezultati i rëndë zgjedhor dikton që dorëheqja të dorëzohet parevokim.
“Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq.
Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së”, tha ai.
Dorëheqje të parevokueshme, siç raportoi dje gazeta duke u thirrur në burime të veta, Abdixhikut i ka kërkuar edhe Lutfi Haziri, “në formë të prerë”.
Në linjë me Abdixhikun ka dalë Ilir Ferati i Istogut, ku brendarreshtash dhe në deklarim për media, fjalët i kishte të përzgjedhura si të Abdixhikut.
“Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse”, tha Avdullah Hoti.
Çka po ndodh?
Rezultati zgjedhor që zbuloi tepojzën e madhe të mbështetjes popullore të kësaj partie, ka nisur të trazojë dhomën e drejtuesve të partisë.
Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka dhënë dhe s’ka dhënë dorëheqje.
Jo dorëheqje të parevokueshme, por dorëheqje të ofruar “që e vendos Kuvendi i partisë a e pranon”.
Mbledhja pesë e orë e gjysmë e pardjeshme doli pa epilog të prerë, për të shpërthyer publikisht një ditë më pas, përkatësisht në mbrëmjen e djeshme.
Hykmete Bajrami, u dorëhoq pa revokim nga posti i Nënkryetares së LDK-së.
Ndonëse praktikisht me ofrimin e dorëheqjes së Abdixhikut, e gjithë kryesia me nënkuptim i bie të jetë në dorëheqje, mesazhi i Bajramit dha tonet e prera: kjo drejtuesi e ka humbur legjitimitetin.
Kërkoi “dorëheqje të parevokueshme” nga Lumir Abdixhiku.
Dorëheqjen e parevokueshme ia ka kërkuar edhe Lutfi Haziri edhe Avdullah Hoti.
Për këtë të fundin, “nëse nuk ka reflektim” do ta dorëzojë dorëheqjen nga kryesia qysh të hënën.
Dorëheqjen njësoj ia ka kërkuar edhe Haziri, “në mënyrë të prerë”, na tha një burim.
Abdixhiku u lajmërua menjëherë pas shkrimit të Bajramit, duke përdorur shprehje edhe si “eliminim politik”, që sipas tij, po synohet ndaj tij.
Por, tha ai “kuvendi vendos…jo ne si individ”.
“Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj!”, tha Abdixhiku, dhe shtoi se dorëheqjen e tij duhet t’ia konfirmojë Kuvendi i partisë, dhe kërkoi që “deri atëherë, le të sillemi si mbrëmë e si deri tash, pa dramë e pa protagonizëm, ballëhapur e me dinjitet”.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, tha Abdixhiku.
Bajrami në shkrimin e saj konstatoi se udhëheqësia e partisë nga Abdixhiku ka shpier në “rezultate të rënda zgjedhore” dhe se për këtë gjë duhet dhënë “përgjegji, dhe hapja rrugës së zgjedhjeve të brendshme”.
“Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, tha ajo.
“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”.


