Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë reaguar pas shqetësimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili konstatoi pranimin e disa dokumenteve që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe.
Në reagimin e Dhomave të Specializuara theksohet se pranimi i dokumenteve nuk tregon sa peshë apo besueshmëri do t’u jepet ato nga gjykatësit.
“FAKT: Një vendim për të pranuar prova nga Prokuroria ose Mbrojtja nuk është tregues sa peshë ose besueshmëri do t’u japin gjykatësit atyre, në qoftë se do t’u japin peshë. Ky vendim merret në kuadër të aktgjykimit në fund të paraqitjes së provave”, thuhet në reagimin e Speciales në rrjetin social X.
Tutje, Dhomat e Specializuara sqarojnë se trupi gjykues vlerëson secilën provë duke marrë parasysh tërësinë e provave të administruara në gjykim.
“Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Speciales.
Institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar një letër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke shprehur shqetësime rreth zhvillimit të procedurave gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka ngritur çështjen e kohëzgjatjes së paraburgimit, pranimin e disa dokumenteve të paligjshme që burojnë nga Serbia pas vitit 1999, si dhe kufizimin e komunikimit dhe vizitave familjare për ish-krerët e UÇK-së.
Ai gjithashtu ka theksuar mungesën e mekanizmave vendorë të monitorimit dhe llogaridhënies, duke vënë në dukje perceptimin e mundshëm të mungesës së barazisë para ligjit. Qelaj ka ngritur dyshime serioze edhe për zbatimin selektiv dhe monoetnik të juridiksionit gjatë procedurave para të ashtuquajturës Gjykatë Speciale.
Avokati i Popullit ka përsëritur se synon të kontribuojë në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe ruajtjen e standardeve të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, ndërsa do të vazhdojë monitorimin dhe shqyrtimin e procedurave në mënyrë të vazhdueshme.