Komuna e Preshevës ka shënuar rezultate të dukshme në realizimin buxhetor për vitin 2025, duke dëshmuar stabilitet financiar dhe menaxhim të përgjegjshëm të mjeteve publike. Sipas të dhënave zyrtare, të hyrat komunale kanë tejkaluar planifikimin, ndërsa shpenzimet janë realizuar pothuajse në tërësi, pa krijuar deficit apo borxhe të panevojshme.
Buxheti i miratuar në dhjetor të vitit 2024, në vlerë prej 1,057,132,908 dinarë, ka rezultuar realist dhe i zbatueshëm. Gjatë vitit 2025, Komuna ka arritur të realizojë 1,070,604,445 dinarë të hyra, apo 101.27% të planit të paraparë, duke treguar kapacitet të lartë për mbledhjen e të hyrave edhe në kushte ekonomike sfiduese.
Efikasiteti i përgjithshëm buxhetor ka arritur në 96.13%, niveli më i lartë i viteve të fundit, dukshëm më i mirë krahasuar me vitin 2023 (84.10%) dhe 2024 (88.51%). Ndërkohë, shpenzimet janë realizuar në vlerë prej 1,029,185,712 dinarë, apo 97.36% të planit, çka sipas komunës dëshmon disiplinë fiskale dhe planifikim të saktë.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vlerësuar lart këto rezultate, duke theksuar se ato janë fryt i një qeverisjeje të përgjegjshme dhe transparente.
“Buxheti i vitit 2025 nuk ka qenë një plan në letër, por një dokument realist që u zbatua me përgjegjësi dhe efikasitet. Tejkalimi i planit të të hyrave dhe realizimi pothuajse i plotë i shpenzimeve tregojnë se Presheva sot ka stabilitet financiar dhe institucione të besueshme për qytetarët,” ka deklaruar Sinani.
Ajo shtoi se këto rezultate e pozicionojnë Komunën e Preshevës mbi mesataren e komunave në Serbi dhe rajon, duke vendosur një standard të ri në menaxhimin e financave publike.
“Çdo projekt është realizuar me mbulesë reale financiare, pa rrezikuar të ardhmen e komunës. Ky është modeli i qeverisjes që garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe besim qytetar,” u shpreh kryetarja Sinani.
Sipas komunës, trendi pozitiv në realizimin buxhetor pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, me fokus në investime konkrete dhe shërbime më të mira për qytetarët e Preshevës.













