Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, subjekti politik që ka shpenzuar më së shumti për fushatën zgjedhore është Lëvizja Vetëvendosje, me gjithsej 992,562 euro të shpenzuara për fushatën lokale për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe kuvendeve komunale. Ndërkohë, të hyrat për fushatë të kësaj partie kanë qenë 604,131 euro.
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar gjithsej 248,543 euro të hyra për fushatë, ndërsa shpenzimet e saj kanë arritur në 272,772 euro.
Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas raporteve të KQZ-së, ka shpenzuar 203,045 euro për fushatën zgjedhore, ndërsa të hyrat e deklaruara kanë qenë 23,540 euro.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur 85,818 euro të hyra, ndërsa ka shpenzuar 24,187 euro për fushatën e zgjedhjeve lokale.
KQZ ka bërë të ditur se raportet financiare aktuale janë të paaudituara dhe, si të tilla, mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.