Klinsman Kadiu, këshilltari Besnik Bislimit, i ka hedhur poshtë raportimet e mediumit zviceran Neue Zurcher Zeitung (NZZ) për zhvillimin e një takimi sekret mes zëvendëskryeministrit të Kosovës me kryediplomatin serb Marko Gjuriq në Zvicër.

Sipas reagimit të Kadiut, Bislimi ka qenë pjesëmarrës në një takim joformal të procesit të dialogut të zhvilluar në Zvicër mes Kosovës dhe Serbisë, por në këtë takim nuk ka qenë prezent Gjuriqi.

“Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj”, tha ai.

“Por këto takime nuk janë “të fshehta”. Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka patur takime “të fshehta”, e aq më pak me Marko Gjuriq. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriq. Pra Zëvendëskryeministri Bislimi, nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, u shpreh Kadiu.

SHPËRNDAJE