Mafia shqiptare është shndërruar në një nga aktorët më të fuqishëm në krimin e organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike, në Itali, atje ku shumë shqiptarë dynden për të ndryshuar stilin e tyre të jetesës. Ndër vite, ata kanë ‘zaptuar’ tokën italiane, ku disa kanë kërkuar një jetë pak më të mirë, e të tjerë që kanë mësuar ‘zanatin’ nga më të mirët. Sot, ata janë shndërruar në super-fuqi dhe kontrollojnë qendrat e shpërndarjes dhe portet në të gjithë botën.
Gazetari italian Nello Trocchia ka publikuar librin e parë dedikuar mafias shqiptare “Të Pamposhtur: Mafia Shqiptare nga Roma për të Pushtuar Botën”. Ky libër përmban një hetim të madh për të rrëfyer intrigat dhe trajektoren e një mafie që, nga Roma, u bë një fuqi ekonomike dhe financiare ndërkombëtare dhe ndjek protagonistët e saj më të egër në një rritje në dukje të pandalshme.
Trocchia i përshkruan mafiozët shqiptarë, si ata që u rritën pranë klaneve italiane dhe nisën karrierat kriminale. Fillimisht si kontrabandistë dhe trafikantë, pastaj si banditë dhe vrasës me pagesë të krimit të organizuar dhe së fundmi si trafikantë droge.
Në këtë libër, autori sjell në vëmendje një emër të njohur të botës së krimit, Elvis Demce. Sot, ai është në një regjim 41-bis, i vetmi baron droge shqiptar në një regjim të ashpër burgu, ndërsa të tjerët janë të lirë dhe të lumtur.
Por, gazetari sjell në fokus ‘pushtetin’ e tij për t’ju shpëtuar ndëshkimeve. Sipas autorit, historia e Demces është një histori pandëshkueshmërie, shpërqendrimesh dhe çmendurie të shtirë. Këtu përmendet një emër i mafias italine, Giancarlo Orsini, sot një bashkëpunëtor i drejtësisë. Ky i fundit ka treguar raportin me Demcen, narko trafikanti shqiptar që e quante veten “Zot”. Orsini dhe Demce kanë dalë në gjyq së bashku, por çfarë ndodhi? Italiani u dënua, ndërsa Demce u lirua. Ai doli nga burgu dhe nisi të bënte, atë që bënte dhe më parë. Por, me një as nën mëngë. Me ndihmën e një mjeku, i cili do t’i mbulonte atij të gjitha lëvizje duke ja justifikuar në vizita mjekësore.
Demçe i cili është përfolur për lidhje të tij me grupin famëkeq italian Camorra, e kishte etiketuar veten: “Unë jam Zoti”. Shqiptari i lidhur në të kaluarën me Fabrizio Piscitelli, i njohur si Diabolik, lideri i Lazio Irriducibili i vrarë më 7 gusht 2019 në Parco degli Acquedotti, u arrestua së bashku me Costacurta dhe Corvesi në korrik të vitit 2022 nga karabinierët e njësisë hetimore Ostia për plagosjen e Marzanit./




