Analisti thotë se sulmet ndaj kryetarit të LDK-së janë të padrejta dhe vijnë nga njerëz që më herët e penguan bashkëpunimin me Kurtin.
Analisti politik Xhevdet Pozhari ka reaguar lidhur me kritikat e shumta që po i bëhen kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të dobët zgjedhor, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të tepruara.
Pozhari ka thënë se ai vetë e ka kritikuar Abdixhikun më herët, në kohën kur kishte hapësirë për t’i korrigjuar veprimet, por sipas tij, tash sulmet janë duke u bërë në mënyrë të pamëshirshme.
“E kam kritikuar Lumirin kur kishte kohë t’i korrigjonte veprimet. Tash, kur LDK pësoi debakël, po i mëshojnë pamëshirshëm. Kjo nuk është fer”, ka shkruar Pozhari.
Ai ka veçuar se sulmet janë edhe më të padrejta kur vijnë nga persona që, sipas tij, më herët i bënin presion Abdixhikut që të mos hynte në Qeveri me Albin Kurtin.
“Elektorati i LDK-së më parë e preferon bashkëpunimin me VV-në sesa me këdo tjetër. Kushdo që nuk ia do të mirën LDK-së, e nxit të dalë kundër Albin Kurtit. E mandej dihet – ju sosë!”, ka përfunduar Pozhari.














