Qytetarët e Komunës së Podujevës do të kenë mundësi të marrin shërbime të reja shëndetësore nga dita e nesërme, pasi Poliklinikës Specialistike në këtë komunë i shtohen edhe 15 shërbime specialistike.
Pas hapjes së Repartit të Hemodializës, kjo Poliklinikë do të funksionalizohet me 15 mjekë specialistë të fushave të ndryshme: gjinekologji, reumatologji, kardiologji, endokrinologji, hematologji, gastroenterologji, nefrologji, pulmologji, ortopedi, kirurgji abdominale, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare, urologji, pediatri dhe neurologji.
Shërbimet do të ofrohen çdo ditë pune, nga e hëna deri të premten, prej orës 08:00 deri në orën 14:00, përmes katër ambulancave specialistike që do të jenë të hapura çdo ditë. Orari i punës sipas ditëve do të jetë si vijon:
- E hënë: kardiologji, hematologji, pulmologji dhe ortopedi;
- E martë: reumatologji, gastroenterologji, kirurgji abdominale dhe pediatri;
- E mërkurë: endokrinologji, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare dhe neurologji;
- E enjte: kardiologji, nefrologji, urologji dhe pediatri;
- E premte: gjinekologji, endokrinologji, ortopedi dhe neurologji.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar për mbështetjen dhe bashkëpunimin.
“Na priftë e mbara!”, ka shkruar Bulliqi, duke e cilësuar këtë zhvillim një lajm të madh për qytetarët e Podujevës.