Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka deklaruar se përparimi në dialogun Kosovë–Serbi varet nga avancimi i çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Gjatë një takimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, Petkoviq ka theksuar se “është e domosdoshme që të ketë hapa konkretë drejt formimit të Asociacionit dhe të nisin diskutimet për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Petkoviq gjithashtu është ankuar mbi ligjet për të huajt dhe për automjete, duke theksuar se duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.
Ai akuzoi Kosovën për “veprime të njëanshme e përshkallëzuese” dhe shtoi se “serbëve po u kërcënohet e drejta për jetë, liri të lëvizjes si dhe e drejta për trajtim shëndetësor e arsimim”.
Para vizitës në Serbi, Peter Sorensen qëndroi në Kosovë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm për normalizim të raporteve, por theksoi nevojën që fillimisht Serbia ta dorëzojë kryeterroristin e Banjskës, Milan Radoiçiq, si dhe të tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, e cila ishte shprehur se disa pika të marrëveshjeve nuk do të zbatohen.
Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit si garanci për të ecur përpara.
Sorensen pati deklaruar se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të sulmit vdekjeprurës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter policor kosovar dhe tre sulmues serbë.