Një incident i ndodhur brenda zyrave të Gjykatës Themelore në Pejë ka shkaktuar një përplasje të paprecedentë mes këtij institucioni dhe Odës së Avokatëve. Vendimi i Kryetarit të Gjykatës për të autorizuar sigurimin që të “marrë në pyetje” avokatët mbi qëllimin e vizitave të tyre, ka pasuar një përplasje verbale mes avokatit veteran Flamur Kelmendi dhe gjyqtares Blerta Kelmendi.
Me 19 janar avokati Flamur Kelmendi kërkoi informacione mbi një aktgjykim në zyrën e gjykatëses Blerta Kelmendi në Pejë.
Sipas zyrtarëve të Gjykatës, avokati ka hyrë pa ftesë dhe ka refuzuar të dalë edhe pasi është sqaruar se aktgjykimi ishte shpallur me kohë.
“Avokati ka shfaqur sjellje jo të përshtatshme, duke përfshirë edhe video-incizimin brenda zyrës… është thirrur sigurimi i gjykatës, i cili ka ndërhyrë për largimin e tij,” thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Insajderin.
Nga ana tjetër, në një prononcim për Insajderin, avokati Flamur Kelmendi e quan sjelljen e gjyqtares arrogante dhe fyese për moshën e tij.
“Hyra me leje… më tha mos na pengo, ma lësho zyrën. Filloi me u sjell në mënyrë arrogante. Me u sjell me mu një fillestare ashtu, që i kam 80 vjet!” deklaroi Kelmendi, duke mohuar pretendimet për sjellje të pahijshme.
Oda e Avokatëve reagon ashpër
Pas këtij incidenti, Kryetari i Gjykatës ka lëshuar një urdhër që ka revoltuar Avokatët në Pejë. Përmes një ankese drejtuar kryetarit, të cilën e ka parë Insajderi, thuhe:
“Sot, me datë 26.01.2026, avokatët e regjionit të Pejës janë ndaluar nga sigurimi i gjykatës dhe janë marrë në pyetje lidhur me destinacionin e tyre brenda objektit gjyqësor, veprim ky i papranueshëm dhe jashtë çdo standardi institucional. Pas interesimit tim zyrtar, nga punëtorët e sigurimit u njoftova se kjo pengesë është vendosur në bazë të një vendimi të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, si pasojë e një sjelljeje të supozuar jokorrekte të një avokati ndaj gjyqtares Blerta Kelmendi gjatë javës së kaluar”, citohet një pjesë nga ankesa.
Sipas përgjigjes nga gjykata, gjyqtarja ka përpiluar edhe shënim zyrtar dhe rasti është adresuar për trajtim të mëtejmë në instancat përkatëse.




