Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas saj, zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së.
Ai ka deklaruar se në këtë mbledhje kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të ofrojë dorëheqjen, me qëllim që Kuvendi i partisë të jetë i lirë të vendosë për këtë dhe çështje të tjera.
Sipas tij, mbledhja e Kryesisë ka zgjatur rreth katër orë dhe është karakterizuar nga diskutime të hapura dhe demokratike, ku është analizuar në detaje edhe rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Pati një diskutim gati katër orësh, të hapur e demokratik, duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme, përfshirë edhe analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së”.
“Në këtë Kuvend, siç është deklaruar vetë kryetari Lumir Abdixhiku, ai do të ofrojë dorëheqjen për ta lënë të lirë Kuvendin që të vendosë edhe për këtë çështje, por edhe për çështje e diskutime të tjera që mund të ngrihen”, ka thënë Mustafa.




