Përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) në skanimet apo mamografitë për kancerin e gjirit ka ulur me 12 për qind rastet e diagnostikimit të vonshëm pas kontrollit fillestar, sipas një studimi të madh të realizuar në Suedi, ka raportuar The Guardian.
Studimi, i publikuar në revistën mjekësore The Lancet, ka përfshirë rreth 100 mijë gra që iu nënshtruan mamografisë mes viteve 2021 dhe 2022.
Gratë u ndanë rastësisht në dy grupe: një grup me mamografi të mbështetur nga AI dhe një grup me lexim standard nga dy radiologë.
Sistemi i inteligjencës artificiale analizonte imazhet e mamografisë, duke i ndarë rastet me rrezik të ulët për lexim nga një radiolog dhe ato me rrezik të lartë për lexim të dyfishtë, si dhe duke theksuar gjetjet e dyshimta për t’i ndihmuar mjekët.
Rezultatet treguan se në grupin me AI kishte 1.55 raste kanceri në 1,000 gra, të identifikuara me vonesë në vitet pasuese pas kontrollit, krahasuar me 1.76 raste për 1,000 gra, të identifikuara me vonesë pas kontrollit, në grupin pa AI.
Po ashtu, 81 për qind e rasteve të kancerit në grupin me AI u zbuluan gjatë mamografisë, krahasuar me 74 për qind në grupin kontrollues.
Në grupin e mbështetur nga AI u regjistruan edhe rreth 27 për qind më pak forma agresive të kancerit.
Autorja kryesore e studimit, doktoresha Kristina Lang nga Universiteti i Lundit, ka thënë se teknologjia ka potencial të madh, por kërkon kujdes.
“Zbatimi i gjerë i mamografisë me mbështetje nga AI mund të ndihmojë në uljen e ngarkesës për radiologët dhe në zbulimin më të hershëm të kancerit, përfshirë format agresive”, ka thënë ajo, duke shtuar se “futja e AI-së në shëndetësi duhet të bëhet me kujdes dhe me monitorim të vazhdueshëm”.
Ani pse rezultatet janë premtuese, studiuesit theksojnë se AI-ja nuk duhet të zëvendësojë profesionistët e shëndetësisë, pasi mamografia kërkon gjithmonë të paktën një radiolog që të bëjë leximin.
Doktoresha Sowmiya Moorthie nga Cancer Research UK ka thënë se gjetjet janë inkurajuese, por kërkojnë më shumë studime.
“Ky studim ndihmon në adresimin e shqetësimeve, por është realizuar në një qendër të vetme, ndaj nevojiten studime të tjera për të kuptuar nëse kjo do të shpëtojë jetë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, Simon Vincent nga organizata Breast Cancer Now ka thënë se studimi tregon potencial të madh për diagnostikim më të hershëm.
“Sa më herët të zbulohet sëmundja, aq më të mëdha janë shanset për trajtim të suksesshëm”, ka theksuar ai.