Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media, kanë shkruar në lidhje me gjykimin që po iu bëhet në Hagë, ish-krerëve të UÇK-së.
Ata kanë thënë se kanë përcjellur me vëmendje paraqitjen e fjalëve përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë nga katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Pas më shumë se pesë vjetësh në paraburgim, paraqitja e tyre ishte dinjitoze dhe e mbështetur në të vërtetën e luftës së popullit të Kosovës për liri. Ata folën me përgjegjësi, me respekt për procesin dhe me besim në drejtësi, duke dëshmuar se përballja me drejtësinë nuk është shmangie nga historia, por pjesë e saj”, kanë thënë nga PDK.
Ata kanë thënë se shprehin pritjen dhe kërkesën e saj që vëndimi të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative apo perceptimi politik.
“Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe e domosdoshme për mbijetesë përballë një regjimi shtypës. Kjo është një e vërtetë historike e njohur nga qytetarët tanë dhe e konfirmuar nga rrjedha e zhvillimeve ndërkombëtare që çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe presim që, pa zvarritje dhe mbi bazën ekskluzive të fakteve e provave, të merret një vendim i drejtë dhe i paanshëm, i cili do të konfirmojë lirimin e plotë nga të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë PDK.
Partia Demokratike e Kosovës ka ritheksuar solidaritetin me familjet e ish-krerëve të UÇK-së.
“PDK falënderon të gjithë qytetarët për mbështetjen e madhe të dëshmuar përmes marshimeve dhe protestave, si dhe shpreh mirënjohje për profesionalizmin dhe hapësirën e ofruar nga mediat gjatë gjithë kësaj periudhe”, thuhet mes tjerash në komunikatë.