Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Kosovës, i cili ishte arrestuar dhe mbajtur në burg nga autoritetet serbe ka reaguar me një postim emocionues pas lirimit nga burgu.

Spahiu përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se akuza ndaj tij ishte pjesë e një procesi politik dhe të padrejtë.

“Dje në mesditë jam liruar nga burgu i Serbisë, ku kam qenë i arrestuar padrejtësisht që nga 7 qershori për akuza të rënda, të cilat ishin krejtësisht politike dhe të padrejta. Dua t’ju njoftoj se jam mirë, më i fortë se kurrë dhe mirënjohës për çdo mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë,” shkroi ai.

Spahiu falënderoi bashkëqytetarët për mbështetje financiare, duke e cilësuar atë si shumë të vlefshme në këtë periudhë. Ai gjithashtu falënderoi avokatin e tij, Gvozden Grgur, për angazhimin dhe profesionalizmin në mbrojtjen e tij.

“Avokati im ka qenë i palodhshëm dhe i përkushtuar në luftimin për drejtësi dhe mbrojtjen time,” tha ai, duke falënderuar gjithashtu përkthyesin që e mbështeti gjatë procesit.

Në fund, Spahiu shprehu emocionet e tij për reagimet e qytetarëve pas lirimit. “Gëzimin që po shoh në sytë e njerëzve, dashurinë dhe lumturinë për lirimin tim, nuk mund ta përshkruaj me fjalë,” përfundoi ai, duke uruar gjithashtu: “Zoti ju bekoftë të gjithëve.”, shkroi ai.

SHPËRNDAJE