Në St. Jakob-Park të Baselit, Kosova përjetoi njërën nga mbrëmjet më të errëta të saj në kualifikimet për Botërorin 2026. Përballë një Zvicre të motivuar e të organizuar, dardanët u dorëzuan me një humbje të rëndë 4-0, duke lënë shije të hidhur tek tifozët që prisnin të shihnin më shumë pasion dhe vendosmëri nga ekipi kombëtar.
Që në minutat e para u kuptua se diçka nuk po funksiononte. Zvicra sulmoi me ritëm e ide të qarta, ndërsa Kosova dukej e hutuar, pa reagim dhe pa organizim. Brenda 45 minutave të para, zviceranët realizuan katër herë, duke mbyllur praktikisht çdo dilemë rreth fituesit të ndeshjes.
Ajo që shqetëson më shumë nuk është vetëm rezultati, por mënyra se si erdhi ai. Futbollistët e Kosovës u shfaqën sikur pa motiv, pa gjak dhe pa energji. Nuk pati asnjë shenjë të asaj force kolektive që shpesh i ka karakterizuar dardanët në ndeshje të mëdha. Pati mungesë besimi, mungesë guximi dhe, mbi të gjitha, mungesë krenarie në fushë.
Në mesfushë nuk pati qarkullim të shpejtë të topit, në mbrojtje gabimet ishin elementare, ndërsa sulmi mbeti krejtësisht i izoluar. Në vend që të reagonin me karakter pas golave të parë, lojtarët tanë ranë edhe më shumë në pasivitet. Kjo tregon për një problem serioz jo vetëm në aspektin teknik, por sidomos në atë mental.
Në letër, Kosova ka lojtarë me eksperiencë dhe cilësi që aktivizohen në kampionate të forta evropiane. Por në fushë, ndaj Zvicrës, ata u shfaqën si një ekip i paorganizuar, i dorëzuar dhe pa identitet. Dhe kjo është ajo që dhemb më shumë: jo humbja në vetvete, por fakti se ajo erdhi pa luftë, pa djersë, pa krenari.
Në prag të ndeshjeve vendimtare që e presin Kosovën, duhet një reflektim i thellë. Ky ekip nuk mund të lejojë të identifikohet me performanca të ftohta e të vakëta si kjo. Futbolli nuk është vetëm taktikë dhe talent – është edhe pasion, zemër dhe djersë në fushë. Dhe pikërisht këto munguan ndaj Zvicrës.
Nëse Kosova dëshiron të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të fitojë respektin që meriton, lojtarët duhet të kuptojnë se fanella e kombëtares nuk është thjesht një uniformë. Është përgjegjësi, është simbol i një populli që pret përkushtim dhe sakrificë. Të dielën ndaj Suedisë, nuk pritet thjesht një rezultat tjetër – pritet një Kosovë ndryshe: me gjak, me energji dhe me shpirt luftarak.