Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në zyrën e saj ish-policin e Njësisë Speciale, Arbnor Spahiun, i cili për disa muaj ishte mbajtur në paraburgim në Serbi nën akuzat për “vrasje të rëndë” kinse lidhur me ngjarjet në Banjskë.

Në një njoftim, Osmani tha se ka takuar Spahiun pas lirimit të tij nga paraburgimi.

“Dje prita në takim ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiun, i cili është liruar nga paraburgimi në Serbi pas disa muajsh mbajtjeje peng. Arbnorit i urova gjithë të mirat pranë familjes së tij dhe një rikthim sa më të lehtë në normalitet”, u shpreh ajo.

Osmani përsëriti thirrjen për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, duke i porositur të shmangin udhëtimin nëpër Serbi, sidomos gjatë festave të fundvitit.

“Atje vazhdojnë të jenë në pushtet struktura që nuk dallojnë në mendësi nga regjimi i kaluar serb”, tha Osmani.

Arbnor Spahiu u kthye në Kosovë të premten para mesnatës. Ai ishte mbajtur në paraburgim në Suboticë të Serbisë që nga 9 qershori.

SHPËRNDAJE