Presidentja thekson se përvoja e luftës dhe ndërhyrja e SHBA-së shpëtuan vendin, ndërsa anëtarësimi në Bordin e Paqes synon forcimin e mekanizmave globalë për krijimin e paqes.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka deklaruar se Kosova e di nga përvoja e saj historike se si arrihet paqja, duke theksuar rëndësinë e veprimit konkret dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Osmani, e cila i është bashkuar Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, tha se ka shumë arsye pse Kosova është bërë pjesë e këtij mekanizmi, duke përmendur rrugëtimin e vështirë të vendit nga lufta drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ajo rikujtoi se 26 vjet më parë Kosova ishte e shkatërruar nga lufta dhe ndaj popullit të saj po kryhej gjenocid. Sipas saj, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, shpëtoi jetë dhe i hapi rrugë paqes.
“Na u dha një shans për paqe, një shans për të jetuar të lirë. Sot jemi sovranë, demokratikë dhe të pavarur. Më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë që nuk e ka njohur luftën dhe po e shijon paqen”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se paqja nuk arrihet vetëm me fjalë apo rezoluta, por me veprim. “Ajo që dëgjonim atëherë ishin vetëm copa letre dhe deklarata, por nuk kishte veprim. Derisa SHBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën për të na ndihmuar”, u shpreh ajo.
Sipas Osmanit, ekziston një dallim i madh mes krijimit të paqes dhe ruajtjes së saj. Ajo theksoi nevojën për një organizatë të fuqishme ndërkombëtare që merret me krijimin e paqes, ndërsa OKB-ja mund të vazhdojë rolin e saj në ruajtjen e saj.
E pyetur nëse kjo nismë synon të zëvendësojë OKB-në, Osmani e mohoi kategorikisht. “Jo, përkundrazi. Këto organizata mund të punojnë dorë për dore, njëra për krijimin e paqes dhe tjetra për ruajtjen e saj”, përfundoi ajo.

