Kryeministri tha se duhej të zgjidhte mes ftesës së Donald Trump për Bordin e Paqes dhe vizitës së vajzës së tij në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar arsyen pse nuk ishte i pranishëm në Davos për të nënshkruar marrëveshjen e aderimit në Bordin e Paqes, një nismë e ndërmarrë nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në përgjigje të interesimit të deputetëve të opozitës, Rama deklaroi se i është dashur të bëjë një zgjedhje mes pjesëmarrjes në ceremoninë e organizuar nga Trump dhe pritjes së Ivanka Trump në Shqipëri.
Sipas tij, ai vendosi të qëndrojë në vend për të mirëpritur vajzën e presidentit amerikan, duke theksuar se kjo ishte bërë me miratimin e vetë Trump.
“Që mos shqetësoheni pse nuk jam atje, unë duhet të bëja një zgjedhje midis t’i përgjigjesha ftesës së babait apo të mirëprisja vajzën në Shqipëri dhe zgjodha vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait”, u shpreh Rama.