Kosova mbetet e ndjeshme ndaj manipulimit dhe ndërhyrjes me dezinformata në çështjet politike dhe të sigurisë, ka thënë ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Ai në Samitin e Paqes dhe Demokracisë në Kosovë me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe shkatërrimi i normave demokratike”, ka thënë se Kosova renditet e 40-ta nga 41 shtete te Indeksi Evropian i Edukimit Medial.
Në këtë samit, ai theksoi se “dezinformata, polarizimi dhe sulmi i normave demokratike kërcënojnë themelimin e besimit dhe angazhimin qytetar”.
“Në mbarë Evropën dhe përtej, dezinformata kërkon të dobësojë besimin në institucione, të polarizojë shoqëritë dhe të shfrytëzojë divizonet, dhe Kosova nuk bën përjashtim. Duke u bazuar në gjetjet e ‘hibrid.info’ dezinformata në gjuhën shqipe shpërndahet më së shumti në rrjete sociale, ndërsa në gjuhën serbe më së shpeshti në media tradicionale me narracione që shpesh barazohen me dezinformatën ruse, specifikisht në çështjet politike dhe të sigurisë. Si rezultat, hapësira e Kosovës mbetet e ndjeshme ndaj manipulimit dhe ndërhyrjes… Kosova renditet e 40-ta nga 41 shtete te Indeksi Evropian i Edukimit Medial, duke reflektuar vetëdije të dobët të institucioneve në edukimin medial”, ka thënë ai.












