Naim Murseli, i dyshuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshortes së tij, ka rrëfyer para trupit gjykues momentet kritike të natës kur ndodhi vrasja.
Murseli vazhdon të mohojë se ka pasur ndonjë marrëveshje me dikë për ta vrarë gruan e tij.
Ai tregoi në detaje se si i ka dëgjuar të shtënat, duke mohuar se ka qenë prezent në veturë në momentin e vrasjes. Sipas tij, ai ka marrë fëmijët dhe ka ikur me vrap, duke menduar se bëhej fjalë për grabitje.
“Unë isha vozitës, Liridona pasagjere, ndërsa fëmijët mbrapa. Liridona tha ‘o kuku, hajni’, dhe unë e ngadalësova veturën, i çova duart lart. Një person i maskuar u afrua te dritarja ku ishte Liridona. Ajo hapi pak dritaren. Unë i kisha paratë në xhep, se kurrë nuk mbaj kuletë, dhe telefonin. Liridona ia dha telefonin e saj dhe paratë që kishte me vete. Mendova se grabitja po bëhej për veturën, sepse më doli një person përpara. Kjo është arsyeja pse dola nga vetura. Ai më kërkoi telefonin dhe unë e zgjata dorën mbi tavanin e makinës dhe ma mori. Hapa derën e fëmijëve, ata vrapuan dhe unë vrapova pas tyre, duke menduar se kur të largohem, ai do ta marrë veturën. Pas disa sekondash dëgjova krisma, m’u dukën si dy të shtëna. Mendova se po vinte në drejtimin tonë dhe nuk guxova të kthehem mbrapa. Kur e ktheva kokën, pashë që Liridona nuk ishte më”, ka deklaruar ai.
Duke dhënë rrëfimin e tij të plotë, Murseli tha se pas darkës e kishte pyetur Liridonën nëse donte të shkonin në Prishtina Mall dhe më pas ishin kthyer për në shtëpi. Gjatë rrugës ishin ndalur në një pompë derivatesh, pasi vetura nuk kishte naftë, dhe ai e kishte mbushur rezervuarin. Më pas, sipas tij, Liridona i kishte kërkuar të ndaleshin për të blerë vezë në një market, gjë që ai thotë se konfirmohet edhe nga pronari i marketit.
Ai tregoi se ngjarja kishte ndodhur në Bernicë, kur papritur, nga ana e majtë e rrugës, kishte dalë një person i maskuar në mes të rrugës, duke drejtuar armën në drejtim të tyre.
Murseli tha se më pas kishte vrapuar te disa shtëpi për të kërkuar ndihmë, por askush nuk kishte hapur derën. Në një shtëpi, sipas tij, një grua e moshuar kishte dalë në dritare, por i kishte thënë se nuk dinte si të lajmëronte policinë. Ai shtoi se kishte vazhduar drejt marketit, ku kishte kërkuar t’i linte fëmijët, por pronari i kishte thënë të priste policinë. Sipas tij, më pas kishte shkuar me policinë në vendin e ngjarjes, por nuk e kishin lejuar të afrohej.
“I nderuar trup gjykues, unë në aktakuzë akuzohem se e kam mbajtur me dorën e djathtë gruan time në momentet e fundit të jetës. Betohem në dy fëmijët e mi se nuk kam qenë në makinë kur është vrarë Liridona. Ajo që thotë prokuroria është shpifje. Për këtë kemi kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes”, ka thënë ai.
Rrëfimi i plotë i Naim Murselit para gjykatës:
Pas darkës e pyeta Liridonën a donte të shkonim në Prishtina Mall, pastaj u kthyem për në shtëpi. Gjatë rrugës për në shtëpi fillimisht jemi ndalur në Shell. Atë ditë ishim me veturën e Liridonës, të cilën ia kam blerë një vit më parë. Atë ditë e kishte përdorur Leonardi. E pashë që nuk kishte naftë, prandaj u ndalëm dhe e mbusha plot, që Liridona ta ketë për gjithë javën. Nga aty u nisëm për në shtëpi.
Gjatë rrugës, Liridona më tha të ndaleshim për të blerë vezë dhe, siç e ka pohuar edhe pronari i marketit, i bleva, i lashë në bagazh dhe vazhduam në drejtim të shtëpisë në Bernicë. Nuk e di saktë, ndoshta rreth 500 metra më tej, papritur nga ana e majtë doli një person i maskuar në mes të rrugës, duke drejtuar armën në drejtimin tonë.
Unë isha vozitës, Liridona pasagjere dhe fëmijët mbrapa. Liridona tha “o kuku, hajni”, dhe unë e ngadalësova veturën, i çova duart lart. Personi i maskuar u afrua te dritarja ku ishte Liridona. Ajo e hapi pak dritaren. Unë i kisha paratë në xhep, se kurrë nuk mbaj kuletë, dhe telefonin. Liridona ia dha telefonin e saj dhe paratë që kishte me vete. Mendova se grabitja po bëhej për veturën, sepse më doli një person përpara, dhe kjo është arsyeja pse dola nga vetura.
Kur dola nga vetura, ai më kërkoi telefonin. E zgjata dorën mbi tavanin e makinës dhe ma mori telefonin. Hapa derën e fëmijëve, ata vrapuan dhe unë vrapova pas tyre, duke menduar se kur të largohem unë, ai do ta marrë veturën. Pas vetëm disa sekondash dëgjova krisma, m’u dukën si dy të shtëna. Në atë moment mendova se po vinte në drejtimin tonë dhe nuk guxova të kthehem mbrapa. Vazhdoja të vrapoja me fëmijët. Kur e ktheva kokën pas disa sekondash, pashë që Liridona nuk ishte më.
Në atë moment erdhi një veturë e zezë, shumë afër për të na goditur, por e ktheva shpejt timonin për të shmangur përplasjen. Ajo u largua me shpejtësi të madhe. Personi ishte i maskuar.
I nderuar trup gjykues, unë në aktakuzë akuzohem se e kam mbajtur me dorën e djathtë gruan time në momentet e fundit të jetës. Betohem në dy fëmijët e mi se nuk kam qenë në makinë kur është vrarë Liridona. Ajo që po thotë prokuroria është shpifje. Për këtë kemi kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes.
Unë vrapova te dyert e shtëpive, por nuk e hapi askush. Në tri shtëpi nuk doli askush. Në shtëpinë e fundit doli një grua në dritare. I thashë të lajmëronte policinë, por më tha se nuk dinte, pasi ishte e moshuar. Kjo është arsyeja pse vazhdova te marketi.
Nga pronari i marketit kam kërkuar t’i lë fëmijët aty, por ai më tha: “Jo, jo, prite policinë”. E kam pritur policinë dhe së bashku me ta kam shkuar në vendngjarje, por nuk më kanë lejuar të dal në vendin e ngjarjes.