Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër, ku një 12-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht për 2 vite me radhë nga partneri i nënës së saj, Kelmend Krusa.
Shtetasi Kelmend Krusa, së bashku me vëllain e tij, Klodian Krusën, janë autorë të dyshuar të vrasjes së Artur Lleshi, babait të vajzës së mitur që dyshohet se është abuzuar seksualisht.
E ëma e vajzës së mitur, pas zhdukjes në rrethana të mistershme të bashkëshortit të saj në vitin 2018, i cili më pas u gjet i vrarë, u largua në drejtim të Gjirokastrës, duke bashkëjetuar pikërisht me Kelmend Krusën, ndërsa me vete mori dhe fëmijët e saj.
Trupi i Artur Lleshit u gjet i dekompozuar në një kanal në dhjetor të vitit 2018, pasi ishte shpallur i zhdukur prej 8 muajsh.
Denoncimi është bërë ditën e djeshme (25 janar), kur vajza është paraqitur në Komisariatin e Policisë e shoqëruar nga e ëma.
Sipas burimeve zyrtare, nëna dhe vajza ishin paraqitur edhe një ditë më parë në komisariat, por ishin tërhequr pa depozituar kallëzim. Pas denoncimit të bërë, policia ka nisur procedurat hetimore për rastin.
I dyshuari ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një tjetër çështje penale, konkretisht për përfshirje në vrasjen e babait të vajzës. Pas kallëzimit të fundit, ndaj tij është regjistruar një procedim i ri penal.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se familja jetonte në kushte të vështira ekonomike. Nëna e të miturës nuk ishte e punësuar, ndërsa i dyshuari punonte në mënyrë të rastësishme.
Prokuroria, në bashkëpunim me strukturat e policisë për mbrojtjen e të miturve, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




