Ditën e sotme është ndarë nga jeta Ramë Fazli Rrahmanaj, një njeri i shquar, i njohur për përkushtimin e tij të palodhshëm ndaj familjes, arsimit, atdheut dhe luftës për liri.
I njëjti punoi e veproi më shumë se pesë dekada jashtë atdheut, jo vetëm për veten, por për të siguruar një jetë më të mirë për të tjerët.
Rrahmanaj ka qenë një figurë e padiskutueshme e jetës shoqërore dhe kombëtare. Ai nuk u dorëzua asnjëherë, pavarësisht sfidave të shumta që ka kaluar.
Gjatë periudhës kur arsimi në gjuhën shqipe u ndalua dhunshëm, ai u bë një mbështetës i palodhur i shkollës “Abdyl Frashëri” në Malishevë. I angazhuar me pasion për edukimin, ai ideoi dhe ndërtoi shkollën për tri fshatra në Damanek.
Në kohën e luftës, poashtu udhëhoqi Fondin “Vendlindja Thërret” në Slloveni, duke kontribuar si mbështetës i paepur i luftës për liri. Gjatë periudhës së luftës, shtëpia e tij u bë një shtab i UÇK-së dhe pikë mbështetjeje për shumë familje të shpërngulura me dhunë.
Rrahmanaj, një veprimtar dhe humanist i pashoq, do të mbetet gjithmonë një figurë e ndritur e historisë së Kosovës.













