Mbrëmë kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Shqipe Pantina ka kritikuar dhe ka dhënë arsyet e saj pse partia që ajo është pjesë dështoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ajo kritikoi partinë e saj duke thënë se u dha shumë për t’i bërë opozitë Kurtit, duke harruar vlerat që përfaqëson.
“Pse ekziston një parti politike? A ekziston veç me i bo opozitë një partie që është në pushtet apo ekziston për shkak se ti përfaqëson diçka, i përfaqëson disa vlera, i përfaqëson disa parime. Këtu ka qenë huqja edhe e LDK-së, sepse u fokusuan shumë me i bo opozitë Kurtit, duke harruar vlerat që ata i përfaqësojnë. Në rregull është, opozitën duhesh ta bësh. Për një qytetar, një votues që nuk i përket asnjë subjekti politik dhe po pajtohet që Kurti nuk po qeverisë mirë, ai do me pa se çka i ofron t’i ndryshe, cila është alternativa? Këtu nuk është bërë mjaftueshëm, s’po tham se nuk është bërë asgjë, por nuk është bërë mjaftueshëm, duke e pasur parasysh një VV e cila propagandën e ka shumë të fuqishme, e ti karshi një makinerie të tillë, duhet dyfish me e bo punën, nuk mjaftojnë studiot televizive. Kritika që unë e kam për subjektin tim, jashtë fushatës, kur është hera e fundit që kryetari, nënkryetarët, kryesia e kanë vizitu një nëndegë?”, tha ajo fillimisht.
Tutje, ajo hyri në debat me kandidatin e VV-së për deputet, Viktor Buzhala, i cili tha se rënia e LDK-së ndërlidhet me bllokadën që ia bëri Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend. Pantina tha se kjo është njëra prej problemeve në LDK, pasi VV-ja po ia ndërton narrativën.
“Kjo është një prej problemeve që i ka pasur LDK-ja, i ka dëgju të tjerët se çka po thojnë. Narrativën e LDK-së e ka ndërtu VV-ja, duke thënë “ju po gaboni”. LDK-ja nuk ka pasur sukses për të ndërtuar narrativën e vet. Duke thënë se arsyeja pse e bllokoj është një, dy, tre, katër, pesë dhe këto me shku me ja shpjegu anëtarit të vetë, edhe me e vetë besa, a po pajtohesh, a s’po pajtohesh? Nuk mundesh ti prej selisë qendrore me marrë vendime për krejt antarësinë, duhet me shku me komuniku. Komunikimi është baza.”, u shpreh ajo.
Ajo thumboi edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për reformën e lënë në gjysmë të partisë dhe për largimin e strukturave të vjetra.
“Reforma është fillu, është lënë në gjysmë. Edhe nuk është filluar mirë se ti nuk mundesh me bo reformë duke i larguar strukturat e vjetra për me liru vend për të rinjt. Kjo duhet me co-ekzistu. Ka vend edhe për ata që kanë qenë më herët, ka vend edhe për të rinjt që kanë ardhur. Të rinjve po duhet me ju jep më shumë hapsirë me u integru brenda partisë, e jo me i dhënë pozitë udhëheqëse dikujt që as nuk ka pasur përvojë në LDK, nuk e njeh LDK-në dhe nuk e njeh politikën në përgjithësi. Vjen krejt prej një fushe tjetër. Kjo krijoj një llojë rezistence prej anëtarëve e vjetër, që edhe kjo për mua nuk është e drejtë.”, tha Pantina.
Këto deklarime të Shqipe Pantinës nuk janë pritur fort mirë brenda LDK-së. Kandidati për deputet nga kjo parti, Sokol Havolli e sulmoi publikisht atë.
“Çka të duhen kundërshtarë politik kur disa janë brenda? Shqipe Pantina pas çdo dështimi politik personal dhe përfaqësimit të munguar, sonte ia dha edhe një goditje LDK-së. A je mirë? Apo kaq të ka mjaftu? Pfff…”, tha Havolli në postimin e tij, që mori përkrahje nga bashkëpartiakë të tjerë që ia pëlqyen ose i komentuan.













