Dark Mode Light Mode

Mustafa: Kriza energjetike, rezultat i keqmenaxhimit të Qeverisë Kurti – PDK do të inicojë komision hetimor

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka thënë se kriza energjetike që e ka kapluar vendin dhe reduktimet e shpeshta ditëve të fundit, janë rezultat i keqmenaxhimit të sektorit të energjisë nga Qeveria Kurti.

Mustafa, në një konferencë për media, theksoi se barra e këtij dështimi po bie në kurriz të mijëra familjeve dhe bizneseve, të cilat ndonëse po i paguajnë faturat me çmime të larta, kanë mbetur pa furnizim të qëndrueshëm dhe pa siguri energjetike.

“Kosova sot po përballet me një krizë serioze energjetike, të shoqëruar me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike në të gjithë territorin e saj. Është tërësisht e papranueshme që qytetarët e Kosovës të përballen me errësirë, mungesë të ngrohjes dhe pasiguri të madhe në dimër, në kohën kur nevoja për energji elektrike është më e madhe se kurrë, e kur siguria dhe stabiliteti janë jetike. Kjo krizë nuk ka ardhur rastësisht. Kjo krizë është pasojë direkte e një keqmenaxhimi pesëvjeçar, të papërgjegjshëm dhe pa vizion, të sektorit të energjisë nga kjo Qeveri”, tha ai.

Advertisement

PDK shpreh solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët e Kosovës, që këto ditë janë duke u përballur me reduktime në temperatura të ulëta të dimrit, me pasiguri në furnizim dhe me kosto të papërballueshme.

“Përveç dështimit për të siguruar prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë elektrike, Kosova është detyruar të rrisë ndjeshëm importin e energjisë, i cili po realizohet me çmime jashtëzakonisht të larta dhe në dëm të interesit publik”, tha Mustafa.

Mustafa kërkoi nga Qeveria e Kosovës të mos arsyetohet për këtë gjendje alarmante, por të marrë veprime të menjëhershme, për tejkalimin e saj.

“Kërkojmë masa emergjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, transparencë të plotë për kontratat e importit dhe prezantimin e një plani të qartë, serioz dhe të besueshëm për garantimin e sigurisë energjetike të vendit. Është po ashtu e shqetësuese dhe e papranueshme që një sektor që për pesë vite me radhë është shoqëruar me afera dhe skandale të njëpasnjëshme, me dyshime serioze për korrupsion të madh, të mos përballet asnjëherë me llogaridhënie, por ta gëzojë vazhdimisht mbrojtjen politike të Qeverisë”, shtoi ai.

Mustafa paralajmëroi se me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, PDK do të kërkojë themelimin e një komisioni të ri parlamentar, me mandat të qartë dhe gjithëpërfshirës, për hetimin e të gjitha aferave, dyshimeve për keqpërdorime dhe keqmenaxhimit të thellë të sektorit të energjisë gjatë viteve të fundit.

“Qëllimi ynë është i qartë: zbardhja e të vërtetës, përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe institucionale, dhe garantimi i transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, kompetencë dhe vizion. Qytetarët meritojnë ngrohje në këto ditë të ftohta dhe siguri në furnizim, jo kriza të pafundme dhe justifikime boshe”, theksoi ai.

Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seven − 2 =

Previous Post

Abdixhiku: Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj – Vendimi i takon Kuvendit të LDK-së

Next Post

Presidentja Osmani për Walkerin: Zëri që e ktheu dhimbjen tonë në thirrje për drejtësi

Advertisement