Para fillimit të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Valon Murtezaj, ka deklaruar se ftesa për mbajtjen e këtij kuvendi nuk është e qartë duke theksuar se janë delegatët ata që duhet të përcaktojnë rrjedhën e punimeve.
Në një deklaratë për media, Murtezaj tha se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për LDK-në, pasi sot, sipas tij, përcaktohet lidershipi dhe niveli i demokracisë brenda partisë.
“Sot jemi këtu në një ngjarje shumë të rëndësishme për LDK-në. Sot përcaktohet lidershipi dhe demokracia në LDK. Si një nga delegatët do të angazhohem që normat të zbatohen në mënyrë që standardet demokratike të fillojnë të zënë vend edhe në Republikën e Kosovës,” tha Murtezaj.
Ai shtoi se Kosova ka nevojë për parti dhe organizata politike demokratike, ku delegatët dhe përfaqësuesit të mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre.
Murtezaj përmendi tri modalitete të mundshme të këtij kuvendi duke theksuar se nuk është e saktësuar në ftesë se për cilin format bëhet fjalë.
“Ftesa nuk është shumë e qartë. Ka tri modalitete: mund të jetë kuvend pune, kuvend zgjedhor apo edhe votë mosbesimi. Siç e keni parë, kjo nuk është e saktësuar. U takon delegatëve që sot ta përcaktojnë rrjedhën e punimeve dhe rrjedhën e LDK-së nesër,” deklaroi ai.