Respektimi strikt i ligjit dhe trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, janë çelësi i bashkëpunimit ndërmjet komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, vlerëson për Radion Evropa e Lirë ish-nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku.
Ai shpreson që politikanët nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhe nga partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), “e kanë mësuar mësimin”, dhe se do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet në dobi të të gjithë qytetarëve.
Lista Serbe në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar mori pushtetin në komunat në veri të Kosovës, prej nga ishte larguar vetë në nëntor të vitit 2022 në shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Deri tani, Lista Serbe e ka akuzuar Qeverinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për “represion” ndaj popullatës serbe për shkak të zbatimit të disa vendimeve dhe mbylljes së institucioneve që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë ka një qëndrim kritik ndaj Listës Serbe dhe nuk e dëshiron atë si partnere në ekzekutivin e tij. Në paraqitjet publike, ai këtë parti zakonisht e përshkruan si një “instrument politik” të Beogradit.
Anëtarët e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë vitit 2025 u përpoqën tri herë ta pengonin Listën Serbe që të merrte pjesë në zgjedhje.
Udhëheqësi i kësaj partie, Kurti, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të mbajtura më 2025 i bëri thirrje komunitetit serb të mos u besojë “thirrjeve luftënxitëse të zyrtarëve të ndryshëm të lartë nga Beogradi” dhe tha se nuk e pranon që një parti e vetme, përkatësisht Lista Serbe, të ketë “monopol mbi votat dhe përfaqësimin e komunitetit serb”.
Aleksandar Rapajiq nga Qendra joqeveritare për Avokim të Kulturës Demokratike, me seli në Mitrovicën e Veriut, vlerëson se në periudhën e ardhshme do të ketë përplasje ndërmjet komunave në veri dhe Qeverisë qendrore në Prishtinë, veçanërisht midis pushteteve lokale dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Lista Serbe më herët ka paralajmëruar se do të shfuqizojë disa vendime të marra nga kryetarët shqiptarë të komunave në veri, gjatë periudhës nga maji i vitit 2023 deri në tetor të vitit 2025. Në mesin e dhjetorit të vitit 2025, asamblistët në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok votuan për dalje nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, por që ky vendim të jetë i vlefshëm, duhet të miratohet edhe nga ministria përkatëse.
“Mosmarrëveshje” pati edhe më 6 janar, në prag të Krishtlindjes Ortodokse, kur kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, miratoi vendosjen e një pankarte me përshëndetjen fetare “Paqja e Zotit, Krishti u lind”, gjë që Policia e Kosovës fillimisht nuk e lejoi, duke arsyetuar se nevojitej edhe leja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Megjithatë, pas disa orësh Policia ia ktheu pankartën Listës Serbe, e cila më pas e vendosi atë në qendër të qytetit.
“Bashkëpunimi nuk ka alternativë”
Radio Evropa e Lirë iu drejtua me pyetje Listës Serbe dhe Qeverisë në detyrë të Kosovës lidhur me bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë, por ato nuk janë përgjigjur.
Nga Bashkimi Evropian, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor të vitit 2025, thanë për Radion Evropa e Lirë se presin që pushteti i sapozgjedhur lokal në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, në periudhën e ardhshme t’i qasen “në mënyrë konstruktive zgjidhjes së nevojave dhe kërkesave të popullatës përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjet”.
Skënder Sadiku thotë se qytetarët i kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror, dhe se ata që janë tani në pushtet duhet ta pranojnë këtë, pra që kryetarët e komunave nga Lista Serbe në veri ta pranojnë se kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës do të jetë Kurti, por edhe anasjelltas.
Ai thekson se komunat në veri të Kosovës janë të banuara me shumicë serbe, por se duhet të respektohen edhe të drejtat e komuniteteve joshumicë.
E njëjta gjë, sipas Sadikut, vlen edhe për institucionet qendrore, Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë të drejtat e komunitetit serb në gjithë territorin e Kosovës.
Sadiku nënvizon se politikanët duhet të përqendrohen në nevojat reale të qytetarëve, duke përmendur se ditët e fundit të gjithë po përballen me vërshime si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, gjë që duhet të jetë prioritet.
“Një komunë e vogël si Mitrovica e Veriut nuk mund t’u ndihmojë vetë njerëzve. Duhet të përfshihen agjencitë dhe ministritë përkatëse. Kjo është demokraci, ligjet duhet të respektohen si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal”, thotë Sadiku.
Për këtë arsye, shton ai, bashkëpunimi mes pushtetit qendror dhe atij lokal nuk ka alternativë.
“Ne ndajmë të njëjtin fat. Tani ka vërshime kudo. Në Mitrovicën e Veriut, serbët, boshnjakët dhe shqiptarët kanë të njëjtat probleme. Ka 1 milion tema që na ndajnë, por edhe 1 milion halle që duhet t’i tejkalojmë së bashku. Nuk guxojmë t’ua lëmë inatin brezave të ardhshëm. Zgjedhjet janë mbajtur dhe kanë përfunduar, tani situata duhet të normalizohet”, porosit Sadiku.
Bashkëpunimi i pushtetit qendror dhe lokal përmes Asociacionit
Aleksandar Rapajiq vlerëson se komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk mund të kenë bashkëpunim cilësor me Qeverinë qendrore, pavarësisht se kush e udhëheq atë.
Prandaj, sipas tij, është e domosdoshme formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën Kosova dhe Serbia janë pajtuar në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Me formimin e këtij trupi të ndërmjetëm midis pushtetit qendror dhe atij lokal, bashkëpunimi do të ishte shumë më i lehtë dhe më i mirë”, vlerëson Rapajiq.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të duhej t’u sigurojë serbëve në Kosovë një nivel të caktuar vetëmenaxhimi. Statuti i Asociacionit, i hartuar nga BE-ja, parasheh rregullimin e pozitës së komunitetit serb, mbrojtjen e të drejtave të tyre, si dhe financimin nga Serbia.
Statuti saktëson se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do ta rrezikojë pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe parashikon që dokumenti t’i nënshtrohet vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.