Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përmbyllur mbrëmë fushatën zgjedhore në Drenas në një tubim madhështor në mesin e mbështetësve të PDK-së dhe të kandidatit të kësaj partie për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari.

Krasniqi ka thënë se Hajdari është njeri i fjalës, i punës dhe veprave konkrete, i cili përbashkon dhe nuk përçan.

“Vota për Petrit Hajdarin është votë për PDK-në. Nuk ka PDK tjetër, përveç kësaj që jeni këtu në sallë”, ka theksuar ai.

Lideri i PDK-së, nga Drenasi – bastioni i pathyeshëm i kësaj partie, u ka uruar të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të PDK-së 26 vjetorin e themelimit të partisë.

“Sot nga ky tubim madhështor ua dërgojmë urimet për këtë përvjetor, por edhe të falat e falënderimet më të sinqerta themeluesve tanë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit. Në 26 vjet histori të PDK-së, ky vend ka qenë gjithmonë zemra e PDK-së. Në çdo fushatë, në çdo garë, në çdo festë të madhe, Drenasi ka qëndruar si flamur: i drejtë, i fortë, i palëkundur, i përbetuar, me besë. Prandaj, e ndjej që t’ju falënderoj nga zemra për këtë besnikëri”, ka shtuar Krasniqi.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari ka thënë se Drenasi është shtëpia e madhe e PDK-së.

“Më 12 tetor, kjo energji, duhet të kthehet në vendim. Çdo votë është zë, çdo votë është shpresë, çdo votë është besë për të ardhmen. Mos e lini asnjë votë në shtëpi. Çdo votë për PDK-në është votë për Drenasin”, ka theksuar Hajdari.

Video materiali me pamje dhe deklarata:

https://www.swisstransfer.com/d/e7dcfa05-ba5d-4430-b5ac-7702704c7cef

 

SHPËRNDAJE