Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Fetah Paçarizi, ka reaguar lidhur me procesin e rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke e cilësuar situatën si serioze dhe shqetësuese.
Në një deklaratë për media, Paçarizi tha se ajo që po ndodh gjatë rinumërimit ngre dyshime të arsyeshme mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe cenon besimin e qytetarëve në numërimin dhe rinumërimin e votave.
Sipas tij, për të garantuar transparencë, barazi dhe respektim të vullnetit real të qytetarëve, është i domosdoshëm rinumërimi i plotë i votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës.
Paçarizi theksoi se është i përfshirë rishtas në politikë dhe se nuk ka mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike, duke sqaruar se nuk ka pasur asnjë ndikim në procesin zgjedhor. Ai u distancua nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin e tij ose në dëm të votës së lirë.
“Kërkoj që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale”, tha Paçarizi, duke shtuar se edhe KQZ-ja, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj.
Ai theksoi se pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie, ndërsa kërkoi transparencë, hetim dhe përgjegjësi institucionale, duke vlerësuar se gabimet apo manipulimet e këtij niveli përbëjnë përgjegjësi shtetërore.
Sipas të dhënave aktuale të KQZ-së, kandidati për deputet nga PDK, Fetah Paçarizi rezulton me 6 mijë vota më pak pas rinumërimit.




