Gazeta ka raportuar në vazhdimësi për një seri skandalesh që lidhen me Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), derisa ajo po drejtohej nga i arrestuari i fundit, Sami Mazreku. Ky i fundit është i përjashtuar me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për 5 vite nga industria e sigurimeve, por kjo nuk e ka penguar atë t’i kthehet biznesit privat në partneritet me djalin e ish-Guvernatorit.

Sami Mazreku ishte larguar nga BKS-ja me dorëheqje, por shumë shpejt gjeti rrugën drejt bizneseve të reja. Në maj të vitit 2024, ai bashkë me Valon Berishën – i arrestuar edhe ky në aksionin e madh të Prokurorisë së Prizrenit – krijuan firmën e kontabilitetit “Peregrin Accounting & Consulting L.L.C.”.

Kapitali prej 210 mijë eurosh dhe lidhja me djalin e Fehmi Mehmetit

Ajo që bie sy është kapitali i lartë me të cilin u themelua kjo kompani. Që në momentin e regjistrimit, firma ka pasur një kapital prej mbi 210 mijë eurosh.

Sipas regjistrit të bizneseve, 34 për qind të aksioneve në këtë firmë (rreth 71 mijë euro) i mban Granit Mehmeti, djali i ish-Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti. Ky i fundit mbante postin e Guvernatorit pikërisht në kohën kur dyshohet se ndodhi skandali prej 1 milion eurosh në BKS, që po hetohet nga organet e drejtësisë.

Pjesën tjetër të aksioneve, nga 33 për qind secili (rreth 96 mijë euro investim sipas të dhënave të regjistruara), e kanë futur dy të arrestuarit: Sami Mazreku dhe Valon Berisha.

Deri në gusht të vitit 2022, pozita e Zëvendësguvernatorit në BQK mbahej nga Sokol Havolli. Për gati katër vite, mbikëqyrja e industrisë së sigurimeve ishte nën përgjegjësinë e tij.

Havolli kishte dhënë dorëheqje duke e arsyetuar vendimin me atë që ai e quajti: “presione të pakuptimta politike që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe sulme ndaj menaxhmentit e anëtarëve të bordeve të kaluara”.

Përveç ortakërisë me Mazrekun dhe djalin e ish-Guvernatorit Mehmeti, Valon Berisha rezulton të jetë aktiv në fushën e kontabilitetit edhe më herët. Në regjistrat e bizneseve, ai figuron pronar i 100 për qind të aksioneve në një tjetër firmë kontabiliteti, TI+2 L.L.C.” të krijuar në vitin 2019, me një kapital themelues prej 20 mijë eurosh.

Në anën tjetër, përveç ortakërisë me Valon Berishën e Granit Mehmetin në firmën “Peregrin Accounting & Consulting L.L.C.”, Sami Mazreku në vitin 2025 ka themeluar edhe një kompani tjetër. Në regjistrat zyrtarë, ky biznes rezulton të ketë si aktivitet kryesor “aktivitete juridike”.

Firma “A.N.J Corporate Advisory L.L.C.”, e cila ka si ortak të vetëm Sami Mazrekun, u themelua më 10 dhjetor 2025 – apo thënë ndryshe, vetëm pak javë para se Mazreku të përfundonte në pranga.

SHPËRNDAJE