Dark Mode Light Mode
Subvencionet në bujqësi – Dje u intervistua edhe Fitore Pacolli
Mashtruesi i dronëve merr leje nga shteti për kualifikime profesionale, i hapet rruga për përfitime
Kuvendi i Zubin Potokut miraton largimin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Mashtruesi i dronëve merr leje nga shteti për kualifikime profesionale, i hapet rruga për përfitime

Ridvan Aliu, një mashtrues i dyshuar për prodhimin e dronëve luftarakë në Gjilan, është licencuar nga shteti për të lëshuar kualifikime në fushën e arsimit. Vendimi është marrë nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, një trupë që funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit. I validuar nga institucionet, Aliut i hapet rruga për përfitim financiar nga certifikimi i studentëve në fushën e teknologjisë informative.

Institucioni “Future Academy Minds”, në pronësi të të ekspozuarit si mashtrues për prodhimin e dronëve luftarakë, Ridvan Aliut, është akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për lëshimin e kualifikimeve profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve softuerike.

“Future Academy Minds” është praktikisht një kurs trajnimi i studentëve, i cili deri tani ka funksionuar jashtë kornizës kombëtare të kualifikimeve.

Advertisement

Në dhjetor të këtij viti, institucioni në pronësi të Ridvan Aliut është validuar nga shteti në lëshimin e certifikatave në fushën e teknologjisë informative. Por, tani me degën e saj të emërtuar “Future Minds High School”.

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve – një trupë që funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) – e ka validuar kursin e trajnimeve të Ridvan Aliut.

Sipas vendimit të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (AKK) të nxjerrë më 5 janar 2026, institucioni “Future Minds High School” është akredituar për kualifikim të studentëve në fushën e “zhvillimit të aplikacioneve softuerike” me kohëzgjatje dy-vjeçare.

Akreditimi do të hyjë në fuqi nga 01.09.2026, tregon vendimi i marrë në një mbledhje të Këshillit Drejtues të AKK-së më 22 dhjetor 2025.

“Bazuar në analizën e dosjes së aplikimit, gjetjet nga vizita vlerësuese dhe raportet e ekspertëve të AKK, dokumentacioni është dërguar për shqyrtim në mbledhjen e Këshillit Drejtues të AKK më 22 dhjetor të vitit të kaluar”, thuhet në vendimin e AKK-së të publikuar më 5 janar.

“Në këtë mbledhje u mor vendim për akreditim dhe validim të këtij kualifikimi me kusht që institucioni brenda afatit 6 mujor të përmbushë kushtin për lehtësimin e qasjes për persona me nevoja të veçanta sipas rekomandimeve të ekspertëve”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

AKK i ka vendosur “Future Minds High School” kufi të qartë të regjistrimit të studentëve: maksimum 80 kandidatë në vit për kualifikimin “Zhvillues i aplikacioneve softuerike”.

“Akreditohet dhe validohet me kusht për periudhën 01.09.2026 deri më 31.08.2029 Institucioni ‘Future Minds High School’ me kualifikimin: Zhvillues i aplikacioneve softuerike, niveli 3 dhe 4 sipas KKK, Kualifikim i Bazuar në Standard Ndërkombëtar, me numër total të kredive 180”, thuhet në vendim.

Akreditimi i kualifikimit është kryer me rekomandimin e ekspertëve të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, tregon vendimi.

Ky vendim i hap rrugë të dyshuarit për mashtrim të opinionit publik për çështje të lidhen me sigurinë kombëtare, të përfitojë financiarisht nga lëshimi i certifikatave për studentë në fushën e zhvillimit softuerik.

Ndërsa akreditimi me kufizim të qartë prej “maksimumi 80 kandidatëve në vit” pritet të hyjë në fuqi nga 1 gushti i vitit 2026, “Future Academy Minds”, akademia tjetër e Aliut, po vijon me regjistrimet e studentëve në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës. Krejt këto trajnime private, pa kualifikim të njohur zyrtarisht.

Institucioni që është i lidhur ngushtë me kompaninë “Skifteri”, e cila pretendon se prodhon dronë luftarakë, ka pranuar mbi një mijë e 700 aplikime për regjistrime në tërë Kosovën, bazuar në një publikim online të Ridvan Aliut, pronarit të akademisë.

Aliu, në një publikim në Facebook, shpalli synimin për ndërtimin e laboratorëve në kuadër të institucionit në më shumë se 20 komuna të vendit.

Aktualisht, akademia e tij ka vetëm një laboratorë të dronëve në Gjilan, aty ku pretendohet të jetë edhe selia e kompanisë së pretenduar të dronëve luftarakë, “Skifteri”.

Dyshime të forta për mashtrim janë ngritur ndaj sipërmarrësit nga Gjilani pasi në janar të këtij viti tërhoqi vëmendje të fortë, edhe jo vetëm lokale, për “testimin e dronit luftarak” të emërtuar “Skifter K1”.

Pamjet e testimit të dronit dyshohet se janë të falsifikuara, të përpunuara nga një video e një kompanie kineze të prodhimit të dronëve. Video e publikuar nga Aliu është pothuajse identike me atë të publikuar në gusht të vitit të kaluar nga kompania kineze “LOONG”.

Në një deklarim në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, Aliu i mohoi akuzat për falsifikim të pamjeve.

“Këto janë krejt fake news. Skifteri K1 është ndërtuar në Kosovë prej studentëve tanë”, tha ai. “Video është autentike e ekipës tonë jashtë Kosovës, nuk është kineze. Nuk mund të tregojmë se ku është klienti”.

Pronari i të ashtuquajturës fabrikë të prodhimit të dronëve në Gjilan pretendoi se droni “Skifter K1” është testuar në një shtet tjetër mik të Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes, ditë më parë u distancua nga pretendimet e kompanisë për kinse prodhimin e dronëve luftarakë në Gjilan, ndonëse kryeministri në detyrë Albin Kurti e kishte promovuar publikisht kompaninë e dyshuar mashtruese përmes një vizite të kryer në ambientet e saj gjatë fushatës zgjedhore.

Ministria tha në një përgjigje për portalin Nacionale gjatë kësaj jave se, sipas informatave të saja, në Kosovë nuk është lëshuar asnjë autorizim për testim të dronëve luftarakë.

“Ministria e Mbrojtjes nuk ka lëshuar asnjë leje dhe as nuk ka dhënë autorizim zyrtar për ndonjë aktivitet të kësaj natyre”, citohet të ketë thënë një zëdhënëse e Ministrisë për Nacionalen.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi të enjten nga Prokuroria që të fillojë hetime për mashtrimin që kryeministrit Kurti ia bëri opinionit me fabrikën e ashtuquajturë të prodhimit të dronëve luftarakë.

Sipas anëtares së Kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi-Rama, rasti i dronëve paraqet problem të sigurisë kombëtare.

“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht edhe përmes vizitës atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarak në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri”, tha ajo në një konferencë për media.

Prodhimi i dronëve, sipas saj, nuk është aktivitet simbolik, por kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar inxhinierik, protokolle të sigurisë dhe mbikëqyrje shtetërore etj. 

Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × one =

Previous Post

Subvencionet në bujqësi – Dje u intervistua edhe Fitore Pacolli

Next Post

Kuvendi i Zubin Potokut miraton largimin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Advertisement