Një video e Rukë Haradinajt, nënës së dëshmorëve Shkëlzen dhe Luan Haradinaj, ka prekur të gjithë. Kjo video, ku nëna Rukë me lot në sy tregon se si flet me fotografitë e djemve të rënë, ju leshu mbrëmë edhe liderit të AAK-së, Ramush Haradajt. As ky i fundit nuk mundi t`i ndal lotët nga rrëfimi i nënës së tij.
Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, në emisionin “Politico” qau për dhimbjen e nenës së tij, e cila i ka humbur tre djem.
Më pas, lideri i AAK-së tregoi se çdo ditë e nis ditën duke e pirë kafen me nënën e tij.
“Mundohem gjithë kohën t’ia heq mërzinë nënës. Çdo mëngjes ditë e filloj me nënën, në 07:00 ora pijmë kafe bashkë”, është shprehur i emocionuar Haradinaj.
Kjo video, e cila është realizuar më herët nga RTK, është bërë virale në rrjetet sociale.
Politikanë të ndryshëm, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile janë solidarizuar me këtë video.
Lotët e nënës së dy dëshmorëve nuk i kanë prekur vetëm disa përfaqësues të VV-së.
Ndër të parët që është solidarizuar me videon në fjalë ka qenë ish-deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar për emocionet që përjeton sa herë e sheh atë video.
“Nana Rukë është nënë e heronjve. E tillë si shumë nëna të Kosovës që mbajnë në zemër dhimbjen dhe krenarinë e luftës. Sa herë i shohim me lot në sy, dhimbja na kthehet e njejtë. E sa herë i shohim të buzëqeshin, na lehtësohet shpirti. Por askush nuk e ka menduar kurrë se Nana Rukë, dhe nëna të tjera të heronjve, do të duhej të ballafaqoheshin me shpifje, me fjalë të ulëta, me sulme politike të përditshme. Kjo nuk është vetëm padrejtësi, është mosmirënjohje. Kush e solli këtë mendësi? S’e di. Por kurrë hallall mos i qoftë!”, ka shkruar ajo.
Edhe drejtor i KDI-së, Ismet Kryezu, është prekur nga lotët e nënës së dy dëshmoreve.
“Rastësisht e përcolla një moment të Rukë Haradinajt, bijës së heroinës Aze Brahimaj dhe nënës së heronjve Luan e Shkelzen Haradinaj. E pranoj: pak u emocionova dhe pak u ndjeva i turpëruar. Sot kemi heroina e heronj – dhe kemi edhe heronj të gjallë. Por, për ironi të fatit, kemi edhe bashkëpunëtorë e punëtorë të sistemit të Millosheviçit, njerëz që kanë qenë pjesë e aparatit të tij fashist. Askush nuk merret me ta, askush nuk i gjykon, askush nuk i problematizon. Përkundrazi – ata gëzojnë vëmendje e respekt, dhe disa prej tyre sot dalin e paraqiten si interpretues të historisë dhe patriotizmit”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Nëse ka dëshmi për degradimin e vizionit politik, është pikërisht kjo: kur heronjtë minimizohen e etiketohen si tradhtarë, mercenarë e “kumarë”, ndërsa bashkëpunëtorët amnistohen e lartësohen. Ky është banaliteti dhe hipokrizia e politikës së sotme: të tentosh të përmbysësh të vërtetat historike vetëm për pushtet”, ka shkruar ai.
Ndaj lotëve të Rukë dhe Ramush Haradinaj ndjeshmëri nuk ka treguar vetëm burri i Albulena Haxhiut, Alban Krasniqi.
Duke e komentuar vidën në fjalë, ai ka aluduar se Haradinaj e keqpërdori mërzinë dhe lotët e nënës së tij për fushatë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se loti i nënës së dëshmorëve mallkon dhe vret këdo që e keqpërdorë.
“Loti i nënës së dëshmorëve mallkon dhe vret këdo që e keqpërdorë, në çdo kohë, sidomos në kohë fushatash”, ka shkruar Krasniqi, i cili është edhe zyrtar i VV-së në KQZ.
Ndaj pretendimeve të Krasniqit ka reaguar ashpër drejtori i Institut të Kosovës për Drejtësi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar logjiken e zyrtarëve të VV-së.
“Dhe pak ditë keni me eskalu duke deklaru se edhe vllëzërit e Ramush Haradinaj nuk kanë luftu dhe nuk kanë rënë pêr çlirimin e Kosovës, por për fushatë.Edhe politika, edhe piskamat për pushtet, dhe servilizmi ndaj liderit të partisë duhet me pas një kufi”, ka shkruar Miftaraj, duke vazhduar kritiken për VV-në.
“Duhet deri në një masë me pas se paku dinjitet dhe respekt ndaj nje nane qe ia ka jep dy deshmore ketij vendi dhe tre luftetare te lirise. Nana Ruke e ka zemren e madhe dhe shpirtin e paster si loti, dhe me siguri i fal keta politikane qe jane verberuar nga inatet politike”, ka shkruar Mifaraj.












