Përderisa në Prishtinë dhe Beograd shiten “vija të kuqe” e populizëm, gazeta më e madhe zvicerane, Neue Zürcher Zeitung (NZZ), ka plasur bombën: Solothurni është bërë qendra e re e takimeve sekrete mes Kosovës dhe Serbisë. “Muret e vilave zvicerane po mbajnë sekretet që Brukseli s’po mund t’i nxjerrë në dritë,” shkruan NZZ.
“Një politikan i lartë kosovar dhe një serb, pas darkës, ecin së bashku nëpër qytetin e vjetër të Solothurnit drejt hotelit të tyre. Kjo skenë, sipas burimeve të mirëinformuara, është parë në margjinat e bisedimeve konfidenciale që Zvicra organizon rregullisht mes dy palëve në konflikt”, kështu nis shkrimi i NZZ.
Përderisa në publik dominojnë tonet e ashpra dhe retorika nacionaliste për të fituar vota, në qytetin e vogël zviceran, përfaqësuesit e të dyja palëve flasin me njëri-tjetrin me një afërti që ka befasuar edhe njohësit më të mirë të konfliktit.
Kush po merr pjesë në këto takime?
Për vite me radhë, asgjë nuk rrodhi në publik rreth këtyre bisedimeve informale. Megjithatë, detaje të reja po dalin në dritë. Përveç politikanëve nga partitë kryesore dhe shoqëria civile, në këto takime rregullisht kanë marrë pjesë edhe ministra.
Sipas burimeve të shumta, në mesin e pjesëmarrësve ishin zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, përgjegjës për negociatat me Beogradin, dhe ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq.
Departamenti i Jashtëm Federal i Zvicrës (EDA) konfirmoi se organizon “Bisedimet e Solothurnit” dy deri në tri herë në vit. Roland Salvisberg, nga departamenti i Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në EDA, shpjegon se dialogu është krijuar për shkëmbimin e ideve mes personave kyç të të gjitha partive kryesore.
“Ne nuk diktojmë zgjidhje, por bëjmë pyetje,” thotë Salvisberg, duke shtuar se Solothurni ofron një hapësirë diskrete, larg kamerave, për biseda të sinqerta.
Partner në këtë iniciativë është OJQ-ja amerikane Council for Inclusive Governance. Takimi i fundit u mbajt në fillim të dhjetorit, me qëllim krijimin e besimit dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Pse në Zvicër?
Zvicra ka një interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin në Ballkan, duke qenë se aty jeton një diasporë e madhe kosovare dhe mbi 60,000 serbë. Përveç kësaj, Zvicra mban kontigjentin e saj më të madh paqeruajtës (Swisscoy) në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Ky angazhim tregon se Zvicra vazhdon të luajë rolin e saj tradicional si mediatore, pavarësisht kritikave nga Rusia se ajo nuk është më neutrale.
Raporti me Bashkimin Evropian
Në fillim, Bashkimi Evropian ishte skeptik. Ish-emisari Miroslav Lajçak e shihte me kritikë këtë rol protagonist të Zvicrës. Megjithatë, tani Brukseli e sheh këtë proces si plotësues të dialogut zyrtar. Pasardhësi i Lajçakut, diplomati danez Peter Sörensen, tashmë ka marrë pjesë në bisedimet e Solothurnit.
A po sjellin rezultat këto takime?
Zvicra i organizon këto bisedime për më shumë se 11 vjet. Qëllimi nuk ka qenë kurrë nënshkrimi i një marrëveshjeje të madhe paqeje, por krijimi i një rrjeti komunikimi. Politikanët tani njihen personalisht dhe kanë numrat e telefonit të njëri-tjetrit, gjë që ndihmon në de-përshkallëzimin e situatës në momente kritike.
Edhe pse pengesat për normalizim mbeten të mëdha dhe udhëheqësit si Kurti e Vuçiq shpesh përdorin konfliktin për konsum të brendshëm politik, “foleja” e Solothurnit po shërben si një valvul shkarkimi që konflikti të mos dalë jashtë kontrollit.














