Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se me ftesë të një gjenerali në Libi, ka zhvilluar vizitë zyrtare atje.
Lushtaku këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke thënë se me gjeneralin Feldmarshall Khalifa Belkasem Haftar diskutuan për çështje me interes të ndërsjellë.
“Zhvillova një vizitë zyrtare në Libi, me ftesë të Gjeneralit Feldmarshall Khalifa Belkasem Haftar. Gjatë kësaj vizite pata nderin të zhvilloj takime të rëndësishme dhe të bisedoj për çështje me interes të ndërsjellë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe forcimit të urave të komunikimit ndërmjet nesh”, shkroi Lushtaku.
Shkrimi i tij vjen pas publikimit të një video, ku Lushtaku shihet duke udhëtuar në “private jet”, i shoqëruar me Gaz Demin, biznesmenin kontravers nga Shqipëria dhe presidenti i klubit “Partizani”, si dhe Astrit Çitakun, pronar i “Andrra Rezidence”.