Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur pas mesnatës në Deçan, ku tre persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Sipas informatave, rreth orës 00:15 të datës 13.01.2026, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur një zyrtar policor jashtë detyre, i cili kishte arritur ta arrestojë të dyshuarin.
Në brendi të kafiterisë, policia ka gjetur të shtrirë tre viktimat, të cilat dyshohet se ishin plagosur nga arma e zjarrit. Të plagosurit janë identifikuar si Daut Cacaj, Dejan Simiq dhe Radovan Millosheviq.
Në vendngjarje kanë dalë edhe ekipet e emergjencës nga QKMF-Deçan, të cilët u kanë dhënë ndihmën e parë viktimave, të cilat më pas janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.
Rastit i janë përgjigjur gjithashtu hetuesit e Stacionit Policor në Deçan, njësia e hetimeve rajonale të Pejës, si dhe Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka sekuestruar armën e dyshuar si mjet i përdorur në rast, si dhe tri gëzhoja të së njëjtës armë.
I dyshuari, Ismet Zukaj, është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe hetimet po vazhdojnë.


