Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat për votat e ardhura me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Deri më tani, kur janë procesuar mbi 81% e këtyre votave, Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me një diferencë të thellë ndaj partive të tjera.
Sipas të dhënave zyrtare të sapopublikuara nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), procesi i numërimit të votave nga diaspora po shkon drejt fundit. Deri në orën 21:06, janë numëruar 148 nga 182 vendvotime (81.32%) të kategorisë “Me Postë”.
Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar edhe një herë fuqinë e saj te votuesit jashtë vendit, duke grumbulluar deri më tani 72.63% të votave, apo gjithsej 30,632 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) aktualisht mban pozitën e dytë sa i përket votave me postë, me 10.27% (4,332 vota), e ndjekur shumë afër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 9.14% (3,855 vota).
AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 3.93% (1,658 vota)
Diferenca mes dy partive të vjetra është e ngushtë, duke e bërë numërimin e fletëvotimeve të fundit mjaft interesant për renditjen përfundimtare.

Ky është grupi i fundit i fletëvotimeve që do t’i nënshtrohet numërimit, duke shënuar kështu përfundimin e plotë të numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.













