Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ku u diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të Kosovës, si elemente kyçe në rrugën drejt integrimit evropian.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 vlerëson se Kosova ka vazhduar përparimin në procesin e integrimit evropian, duke u cilësuar si “më e përgatitur se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat”.
Gjatë këtij takimi janë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi, përfshirë zhvillimet gjeopolitike, Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, bashkëpunimin rajonal si dhe situatën aktuale në rajon.
“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv në rajon, duke mbështetur integrimin më të gjerë ekonomik në përputhje me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet më tej në njoftim.
Sa i përket Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, bëhet e ditur se ai është një instrument i kufizuar kohor, i miratuar për periudhën 2024–2027, ndërsa zbatimi i tij për Kosovën mbetet peng i ratifikimit në Kuvend.
Nga ky plan i Bashkimit Evropian, Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro, çka e bën përfituesen më të madhe për kokë banori nga vendet e Ballkanit Perëndimor.